“Më tregoni se si t’ju falënderoj për kontributin e madh që e keni dhënë ju Bashkësia Islame, 5 xhami – shkolla, m’i keni lënë për shkollën shqipe.”
Disa herë e përsëriti këtë kërkesë, aq ishte mirënjohës.
“Kam kërkuar Drejtorinë e Arsimit në Prizren, një mirënjohje për Bashkësinë islame, por nuk ma kanë dhënë…”
Sot, më datë 11 tetor 2023, bashkë me Dr. Faruk Ukallon e takuam arsimtarin e biologjisë, z. Byrhanedin Bojaxhiu (1950), ish-drejtor i shkollës fillore ‘Mati Logoreci (ish-17 Nëntori), në Prizren, nga viti 20.01.1990 – 1999, që numronte 1300 nxënës.
I arrestuar 34 herë nga policia serbe. Kishte një arkivë personale për mrekulli, si rrallëkush për atë periudhë. Ka realizuar dhe një ekspozitë më 7 mars 2023.
“Pasi e refuzuam vendimin e tyre për planet mësimore serbe, dy policë serbë na djegën shkollën më datë 09.02.1992. Menjëherë i kam bërë shkresë Bashkësië Islame dhe m’i kanë lejuar 5 xhami për mbajtjen e mësimit: Xhamia e Levishes, Emin Pasha, Çorraga, Jeni Mahalla dhe Mesxhidi. I mora në Zhur 3 tabela (te Ridvan Hoxhaj) edhe 2 në Velezhë (te Bernardi) edhe i kam vendosur nëpër xhamia, aty kanë mësuar nxënësit për një vit shkollor (1992).”
Na tregoi disa foto të nxënësve nëpër xhamitë në fjalë duke mësuar…!