1.
Prej se e mbaj në mend veten, asokohe televizorët bardh e zi, më kujtohen palestinezët duke gjuajtur me gurë ndaj izraelitëve të armatosur deri në dhëmbë, në kërkim të të drejtave të tyre.
Gjeneza e problemit është shumë më e hershme se sa kjo lufta e fundit që filloi më 7 tetor 2023 dhe e tronditi botën.
Pejgamberi a.s., që u dërgua mëshirë për njerëzimin, e mësoi mbarë botën se lufta ka edhe moral edhe ligje. Ai, urdhëroi që të mos dëmtohen të pafajshmit asnjëherë, fëmijët, gratë, të moshuarit, tempujt fetarë, bimët dhe kafshët, madje edhe në luftë.
Sot, atje po humbin jetën njerëz pa asnjë faj, nga dy anët, në një luftë tepër të keqe. Zullumi është zullum kushdo që e bën dhe padrejtësia është padrejtësi kushdo që e bën.
Zoti në Kur’an ka thënë: “E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët.” (Ibrahim, 42).
2.
Në këtë ditë të xhumasë, me shqetësim të thellë po i përcjellim bombardimet e shkatërrimet masive në Gaza.
Ne, nuk mund ta ndalojmë luftën, por e jona është të bëjmë apel që lufta të ndalet sa më parë dhe palët t’i kthehen bisedimeve, si një urgjencë për shpëtimin e jetave të njerëzve dhe zgjidhjen e krizës.
Rripi i Gazës, rrezikon të kthehet në një llahtari të kohës tonë. Bota demokratike, çështjen e Palestinës, duhet ta trajtojë me konsideratë e drejtësi.
Fundja, çdo popull e ka të drejtën e Zotit që të jetojë i lirë, në paqe dhe në barazi me popujt e tjerë dhe këtë më së miri e dijmë ne Kosova.
Kjo i ka munguar palestinezëve, e të cilët tash e gati një shekull, janë duke e përjetuar brutalitetin e egër të dhunës, burgosjeve, vrasjeve, dëbimeve, etj.
3.
Thirrjet e fëmijëve nën gërmadhat e bombardimeve, nga cilado anë, palestinezë e izraelitë, e plagosin thellë ndërgjegjen njerëzore.
Jemi të befasuar me disa persona që bëjnë thirrje për zhukjen e palestinezëve. Mbrëmë, në qendër të Prishtinës, u ndezën qirinj vetëm për jetët izraelite, e ku mbetën fëmijtë e vrarë të palestinezëve?
Kjo të dhemb në shpirt, ta turbullon miden shpirtërore. Më mirë, bile mos organizoni për askënd.
Lëreni Hamasin, lëreni ushtarin izraelit, fundja ka kush i vlerëson bëmat e tyre, nëse janë krime, masakra, aparteid, etj.
Prej nesh kërkohet njerëzishmëri për çdo jetë të pafajshme, qoftë musliman, hebre, i krishterë, etj.
Këtë e kërkon ndërgjegjja njerëzore…!
Orhan Bislimaj
Xhamia ‘Antalia’, Prizren
13 tetor 2023