Dr. Orhan Bislimaj
Zgjedhjet dhe parimi “ehaf-fu’d-dararejn”…!
1) Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, sepse prodhojnë një qeveri, një pushtet politik, i cili menaxhon buxhetin shtetëror, taksat, vendos për çështje madhore nacionale, përcakton politikat sociale, ekonomike, administrative, juridike, prokuroriale, gjyqësore, diplomatike, shëndetësore, të sigurisë, etj. Gjersa, kjo është e vërtetë e padiskutueshme, atëherë, mund ta kuptojmë se çfarë rëndësie kanë zgjedhjet dhe vota jonë. Në të vërtetë, ky fakt, nuk na lejon që të qëndrojmë krejtësisht indifferent, përkundrazi, të flasim, të këshillojmë, të sugjerojmë, edhe për faktin se bëhet fjalë për fatin tonë, perspektivën dhe të ardhmen, për një periudhë katër vjeçare. Qytetarët, duhet t’I ndjekin zhvillimet socio-politike, pavarësisht, se janë apo nuk janë anëtarë të partive politike.
2) Vota është pushtet i popullit (demokracia autorizuese), por, populli, mund ta shfrytëzojë këtë të drejtë vetëm në një moment, e ai është në ditën e zgjedhjeve. Në këtë ditë, të drejtën e pushtetit, populli ia delegon kandidatëve të tyre, e të cilët, në emër të tyre, do të marrin vendime për çështje të caktuara. Nëse, marrin vendime të drejta, votuesit ndihen krenarë, në të kundërtën ndihen të zhgënjyer.
3) Ideja e disa qytetarëve të ndershëm, për të mos dalur në votim, me arsyen se asnjëra parti nuk janë të denja për t’u votuar, mendoj se nuk është qasje e drejtë. Në këndvështrimin islam, gjithmonë ka zgjidhje. Tek e fundit, ikja e qytetarëve nga beteja, në një farë mënyre, është pajtim me fatin tragjik, e kjo nuk është zgjidhje. Përkundrazi, qytetari duhet ta ngrejë zërin, përmes votës. Nëse, bash asnjë nuk i plotëson kushtet, atëherë, këtu në vjen në ndihmë parimi “ehaf-fu’d-dararejn” , zgjedhja e dëmit më të vogël në mes të dy të këqijave, e që e ka shfrytëzuar edhe Pejgamberi a.s. Pra, me qenë se, sistemi zgjedhor, na obligon që ta votojmë një parti, atëherë, sipas parimit “ehaf-fu’d- dararejn”, ne, duhet votuar ata kandidat, që mendojmë se, megjithatë kanë vlera dhe janë më meritorë kundrejt të tjerëve. Në këtë mënyrë, do të fitojnë vlerat dhe do të rrëzohen antivlerat. Ndërsa, në periudhë afatgjate, kjo e rritë standardin e meritokracisë.
4) Një çështje shqetësuese është korruptimi I vetvetes. Për t’u mos u zhgënjyer as me partitë e as me kandidatët, qytetarët duhet të votojnë ndershëm, objektivisht, dhe me emër t’Zotit. Vetëm kështu, nuk do të zhgënjehen edhe në qoftëse ajo parti apo ai kandidat nuk i përmbushë pritjet e tij. Në jetën e përditshme, sa herë që e kam ndihmuar dikë, për riza të Zotit, pra për parimet e mirësisë, nuk jam ndier i zhgënjyer, kur ma ka kthyer me mosmirënjohje. Fundja, këtu qëndron mirësia e kapjes për parime, e të cilat sjellin qetësi, gjithmonë. Në vendet, që kanë qenë koloni, të okupuara, siç ka qenë edhe Kosova, qytetarët i korruptojnë lehtësisht parimet e tyre, domethënë nuk votojnë sipas bindjes, por sipas joshjes e shantazheve. Sepse, sikur akoma nuk mund të çlirohen nga logjika e skllavit dhe hipotekat traumatizuese të së kaluarës. Fatkeqësisht, kjo, pastaj edhe nuk e tregon vullnetin e saktë të popullit. Bile, për këtë arsye, në vende të këtilla, për një kohë të gjatë, mohohet e drejta e referendumeve për çështje madhore, ngase ekziston dyshimi i bazuar, se ato mund të prodhojnë vendime konfuze e kontradiktore në raport me vullnetin real. Këtë problematikë, bota perëndimore e ka tejkaluar. Prandaj, edhe ne duhet ta tejkalojmë dhe të votojmë sipas bindjeve tona, edhe nëse nuk ia qëllojmë hajrit.
Vazhdon…!