Paniku, më i rrezikshëm se virusi ‘corona’…!
(sugjestioni negativ)
1) Është interesant, nëse i analizojmë ajetet e Kur’anit dhe Hadithet e Pejgamberit a.s., në rastet e sprovave, vërejmë se i kushtojnë shumë rëndësi evitimit të panikut, apo ajo që psikologjia e quan ‘stresi i panikut’. E pranuam apo s’e pranuam, virusi ‘corona’ (COVID-19), ka mbjellur një frikë më shumë se sa është e arsyeshme. Dhe, na takon të gjithëve ta luftojmë, sepse paniku e dobëson dukshëm imunitetin e njeriut, pikërisht atë armën kryesore për ta luftuar virusin ‘corona’.
2) Duhet kuptuar, virusi ‘corona’, nuk fshinë çka të gjejë përpara!? Për shembull, fëmijtë apo ata që janë nën moshën 40 vjeçare, mund ta tejkalojnë pa e hetuar fare, pra si grip i zakonshëm. Edhe ata më të moshuarit, njësoj mund ta tejkalojnë pa problem, por nevojitet një vetëbesim, vullnet e vetëdije. Përmes tyre, e ruajmë energjinë imunitare, falë së cilës, organizmi ynë mbijeton. Shumë sëmundje në tentativë, trupi jonë i lufton dhe i eviton, pa e ditur fare. Ky është dyzen i Krijuesit të gjithësisë. Mirëpo, këtë dyzen të Allahut, mund ta dobësojmë e shkatërrojmë, nëse ne hyjmë në pikëllim, pesimizëm të thellë, dekurajim, etj. Në gjendje të këtillë paniku, sipas studiuesve të fushës, individi përjeton dy momente: a) Çrregullim i baraspeshës funksionale të organizmit; b) Humbje e madhe e energjisë, në luftë organike kundër stresorëve.
Dhe, në momentin që organizmi e harxhon energjinë bazike, pra rezervat, atëherë ai nuk e ka fuqinë e mjaftueshme për rezistim, rrjedhimisht, dobësohet, mposhtet, pastaj sëmuret dhe mund të ketë pasoja serioze. Kjo gjendje dobësie, fatkeqësisht i jep avantazh të madh virusit ‘corona’.
3) Si shoqëri, duhet të gjejmë forma për evitimin e panikut. Sikur në betejë, humbja e moralit luftarak, sjellë disfatë. Natyrisht, vetë mobilizimi në nivel të botës, kundër pandemisë ‘corona’, ka zgjuar interesimin e shoqërisë. Por, fatkeqësisht, populli, në vend se të ndihet më komod, ngase institucionet po merren seriozisht, ai, sikur e ka përkthyer në panikë. E, bashkimi i panikës me frikën nga ‘corona’, prodhon gjendjen e sugjestionit negativ (nënshtrim i pahetueshëm psikik), kur njeriu ndihet i sëmurë, pa qenë fare i sëmurë.
4) Prandaj, urgjentisht duhet ta evitojmë panikun nga ne. Nëse dikush, ka pësuar nga ky virus, nuk është arsye për panikë, sepse, njerëzit përditë vdesin prej sëmundjeve të zemrës, mushkërive, aksidenteve, etj. Gjithë ajo bujë e madhe, janë goditur me qindra miliona njerzë në Kinë, në anën tjetër, numri i viktimave nuk e ka kaluar shifrën 5.000. Vetiu, nuk është pandemi, aq shumë e rrezikshme, aq sa duket, në krahasim, me ato që kanë qenë në të kaluarën. Pastaj, shyqyr Zotit, kemi institucione vigjilente, që i kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe udhëzimet preventive. E jona është t’i përmbahemi dhe të jetojmë pa asnjë frikë. Në të kundërtën, ne vetë po e rrënojmë ‘rojën’ e portës tonë, kundër ‘coronës’.
5) T’i qetësojmë shpirtërat tonë vetëm me besim të fuqishëm në Zotin e Madh, e me pendim të sinqertë tek Ai. I Lartëmadhërishmi, në Kur’an ka thënë: “Çfarëdo e keqe që ndodh (godet), nuk mund të jetë ndryshe, vetëm sipas caktimit të All-llahut, e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij. All-llahu është i Gjithdijshëm për çdo send.” (shih:Tegabun, 11). E, kur, lidhemi me Allahun, zemrat tona nuk njohin frikë, as pezimizëm e as nuk vyshken kurrë.
T’i lutemi Allahut, me lutjen e Pejgamberit a.s.: “O Zot më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja, nga epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e rrezikshme.”
Zot i Madhërishëm, na ndihmo që ta tejkalojmë këtë sprovë, pa asnjë pasojë! Amin, ja Rabbel alemin!
Orhan Bislimaj
Prizren, 14 Mars 2020
(Nga karantina, Covid-19)