Përse Dita e Premte është e Bardhë e jo ‘Black Friday’
Çfarë lutje bëjnë melekët në këtë Ditë?
(Dersi i xhumasë)
Zoti i Madh e ka veçuar Ditën e Premte prej krejt ditëve të tjera.
Një kaptinë në Kur’an e ka quajtur El-Xhuma – E Premtja.
1.
Në Ditën e Premte ka filluar zënafilla e shoqërisë njerëzore dhe po në këtë ditë ka për të mbaruar shoqëria njerëzore.
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhumasë. Në këtë ditë është krijuar Ademi a.s. (njeriu i parë), në këtë ditë është futur në xhenet, në këtë ditë është nxjerrë nga xhenneti dhe nuk do të bëhet Kijameti veçse në këtë ditë.”
2.
Ditën e Premte e ka sublimuar vetë Allahu, kur na ka bërë obligim Namazin e xhumasë.
Në kohën e namazit të xhumasë, në secilën xhami, qëndrojnë shumë melekë të Zotit dhe luten për besimtarët.
Pejgamberi i Zoti ka thënë:
“Në Ditën e Xhuma melekët qëndrojnë në dyert e çdo xhamie dhe i regjistrojnë një nga një besimtarët që vijnë për namazin e xhumasë. Kur imami ngjitet në minber, ata i mbyllin regjistrat dhe e pyesin njëra tjetrën: Përse filani e filani nuk kanë ardhur, çfarë halli kanë pasë? Me këtë rast, melekët luten për ta: O Zot, nëse janë të sëmurë, shëroji; nëse janë të humbur, udhëzoji e nëse janë të varfër, pasuroji!”
3.
Në ditën e Premte, xhennetlitë do ta shohin Allahun në xhennet. Allahu në Kur’an thotë:
“Në xhennet, banorët e tij do të kenë gjithçka që dëshirojnë, e te Ne ka edhe shpërblim shtesë.” (Kaf, 35).
Fjala ‘shpërblim shtesë’, ka për qëllim të shikuarit në Fytyrën e Allahut të Madhëruar dhe konsiderohet prej kënaqësive më të mëdha të ahiretit.
Këtë e vërteton Pejgamberi a.s., kur thotë: “Për çdo të Premte, xhennetlinjtë do ta shohin Allahun në xhennet…”
4.
Dita e Premte ka edhe plotë veçori të tjera. Kundrejt këtyre, çdo shprehje tjetër që e etiketon atë si të zezë apo fatkeqe (Black Friday) është e pakuptimtë dhe rahbetsëz.
Ne jemi muslimanë, ymet i Pejgamberit a.s., kemi traditat tona, shyqyr Zotit e kemi kulturën tonë fetare e kombëtare, andaj nuk kemi nevojë për të tjera…!
Orhan Bislimaj
Xhamia ‘Mesxhidi’, Prizren
24 nëntor 2023

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *