Lutja, kur Allahu u përgjigj n’dakik…!
Pejgamberi a.s., si rrallë herë tjetër, është ndier i rrezikuar në betejën e Bedrit. Aty, thuajse e ka pa vdekjen me sy, sepse u gjet para armikut të egër, shumëfish më i fuqishëm. Me vlerësimin njerëzor, nuk mund të kishte shpëtim.
Me këtë rast, Pejgamberi a.s., i ra në dorë Krijuesit të Gjithësisë. Lutja e tij është e njohur. Ai, u kthye kah kibla dhe ka filluar t’i lutet Zotit më zë shumë të lartë:
“O Allahu im, ma jep përfundimin (fitoren) që ma ke premtuar! O Allahu im ma jep atë që më ke premtuar. O Allahu im, nëse shkatërrohet ky grup i myslimanëve, nuk do të mbetet njeri, që të bëjë adhurim në sipërfaqën e tokës.”
Pejgamberi a.s., kështu, ka vazhduar për disa momente, duke i ngritur duartë maksimalisht lartë në drejtim të qiellit, gjersa mantela i ra nga supet. Ebu Bekri (r.a.), e mori mantelen, ia vendosi mbi supe dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, mjaftë ke bërë lutje se, me siguri Allahu do ta japë fitoren që ta ka premtuar!
Pas kësaj, Allahu e ndihmoi n’dakik, me njëmijë engjëj, direkt në fushëbetejë, si dhe ia dha fitoren, siç ka ardhur në Kur’an: “Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai ju është përgjigjur: “Unë do t’ju ndihmoj me njëmijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi).” (Kur’ani, El-Enfal, 9).
Zot i Madhërishëm, na ndihmo në betejën tonë kundër #coronavirusit!
Dr. Orhan Bislimaj
Prizren, 17 Mars 2020
(Nga karantina, #Covid-19)