1.
“Kanë mbetur edhe një muaj, kanë mbetur edhe tri javë, kanë mbetur edhe tri ditë, urime, Liberalizimi ndodhi…”
Me këtë pompozitet mediatik që vetë e kemi krijuar në Kosovë, e kemi shndërruar liberalizimin në trofe kombëtare, kurse mësyerjen për të dalur jashtë Kosovës e kemi shndërruar në frymëzim, imponim, modë, aspiratë, dhe standard qytetar.
E kemi shndërruar në ritual festiv, si festa e Bajramit, ku të gjithë ia mësyejmë xhamisë, përndryshe, s’kemi festë.
Dëm i panevojshëm dhe shumë i rrezikshëm. Krejt sytë andej!
Tani, secili po e pyet secilin, ku do të shkojsh, kur, etj, duke e ngritur shkuarjen në vlerë emancipuese, kundrejt atyre që mbesin në Kosovë.
Fatkeqësisht, kjo frymë e rrezikshme, e ka shndërruar Kosovën në zonë kufitare, ku të gjithë presin për ta kaluar kufirin!!!
2.
Përtej integrimit, barazisë e lehtësirave në qarkullim, liberalizimin duhet ta përjetojmë si një vikend javor apo pushime vjetore, pas të cilave i kthehemi punës dhe jetës normale.
Edhe unë jam gëzuar pak… Prej vitit 2008 nuk kam marrë vizë, ngase një ambasadë në Prishtinë ma pati bërë bajat me procedura torturuese.
(Më pati mbetut opsion vetëm Qabja – BIRK-u, i rregullonte vizat, dhe Turqia, pa viza).
Asokohe, nuk ishte autostrada, i bënim rrugë gati 2 orë, Prizren – Prishtinë, e mua më ra hise 5 herë me shku, prej tyre 2 herë agjërueshëm.
Njerëzit qëndronin përballë ambasadës, në këmbë, gjithë ditën, në acar e përcëllimë, si skllevër. Kjo më pati irituar tej mase.
Në fund, e pata bërë me ‘be’, nuk shkoj më në ambasada për vizë, edhe pse dy vëllezër i kisha në mërgim dhe i kam mbajt fjalët deri sot.
Shyqyr, më në fund kemi shpëtuar prej kësaj katrahure, me përmasa raciste dhe nuk kemi fare nevojë ta urojmë njëri-tjetrin…!
Orhan Bislimaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *