1.
I pari dhe i fundit në këtë botë, pra i vetmi, që e takoi Allahun, është Muhamedi a.s., kurse ne tjerët, inshallah e takojmë dhe e shohim Allahun në xhennet.
Kjo ka ndodhur në vitin 621, përmes ngjarjes së Israsë dhe Mi’raxhit, udhëtimit qiellor të Pejgamberit a.s., që iu mundësua me trup e shpirt, nga Mekka deri në Jerusalem dhe nga aty deri në Sidretu’l-Munteha – përmbi shtatë palë qiej, ku e takoi Allahun e Madhêrishëm dhe bisedoi me Të, drejtpërdrejt, pa ndërmjetësimin e melekut.
Në dioptrinë tonë duket e pa besueshme, por si një mrekulli prej Allahut është krejt normale.
2.
Në këtë takim, Pejgamberi a.s. e përshëndeti Allahun, me fjalët që i shqiptojmë në çdo namaz gjatë qëndrimit në ‘et-tehijjat’, dhe atë si në vijim:
– “Përshëndetjet, adhurimet dhe mirësitë i takojnë vetëm Allahut” (Et-tehij-jatu li’l-lahi ve’s-salavatu ve’t-taj-jibatu).
– Allahu ia ktheu: “Përshëndetja e Selami janë për ty o Pejgamberi Im, mëshira dhe bekimi Im qofshin gjithmonë mbi ty!” (Es-selamu alejke ej-juhe’n-nebijju ve rahmetu’ll-Llahi ve berekatuhu)
– Pejgamberi a.s. e shtoi edhe këtë: “Shpëtimi qoftë për ne dhe për njerëzit e sinqertë e vepërmirë të Zotit” (Es-selamu alejna ve ala ibadil-lahi’s-salihin).
– Atëherë, të gjithë melekët e Xhenetit dhe të Xhehenemit, kur e dëgjuan këtë bisedë, njëzëri ranë në shehadet, duke thënë:
“Dëshmoj se Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.” (Esh’hedu en la ilahe ila-Llah ve esh’hedu enne Muhameden abduhu ve resuluhu).
– Pastaj, këtë dëshmi të tyre, kur e dëgjuan melekët e shtatë qiejve dhe të tokës, të gjithë njëzëri ranë në ‘salavat’, duke thënë: “O Zoti ynë, çoj salate dhe selame Muhamedit a.s. dhe familjes së tij, ashtu siç i çove selame Ibrahimit a.s. dhe familjes së tij. O Zoti ynë, begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç e ke begatuar Ibrahimin dhe familjen e tij. Ti,vërtetë, je i falënderuar dhe i Lavdishëm në të dy botët.”
(All-llahum-me sal-li ala Muham-medin ve ala Ali Muham-med kema sal-lejte ala Ibrahime ve ala Ali Ibrahim, in-neke hamidun mexhid. Ve barik ala Muham-medin ve ala Ali Muham-med, kema barekte ala Ibrahime ve ala Ali Ibrahim, in-neke hamidun mexhid).
3.
Nata e Madhe e Israsë dhe Mi’raxhit është më datë 6 shkurt 2024 (e martë)! Në këtë udhëtim, Pejgamberi a.s. e ka marrë obligimin e namazit prej Zotit, pesë herë në ditë…!
Orhan Bislimaj
Xhamia “Iljaz Kuka”, Prizren
2 shkurt 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *