Filani është burrë i mirë, filanja është grua e ndershme, filani është xhymert, është bamirës, punëtor, humanist, trim, i përgjegjshëm, i devotshëm, atdhetar, e kështu me radhë…
Domethënë edhe në këtë botë i matim njerëzit në bazë të veprave të tyre. Por, matja e saktë do të ndodhë në botën tjetër, në mizanin (peshoren) e Zotit.
1.
Bazuar në Kur’an dhe Hadith, dijetarët thonë se tri vepra nuk i përthekon peshorja dot në Ditën e Kijametit, për shkak të madhështisë së tyre, për hirë të Zotit, e ato janë:
– FALJA ndaj njerëzve. Paramendo, njerëzit të bëjnë padrejtësi, kurse ti i falish dhe sillesh njësoj ndaj tyre, a ka më madhështore? Allahu thotë: “…E kush fal dhe e bën pajtimin, shpërblimi i tij është tek Allahu (pa masë).” (Esh-Shura, 40)
– SABRI – Durimi. Llogarit, edhe pse ke mundësi për reaksion kundër dikujt, ti megjithatë bëjsh sabër, për të evituar më të këqijat, a ka gjë më fisnike? Allahu thotë: “… Ndërsa, durimtarëve / sabërtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë…!” (Ez-Zumer, 10)
– AGJËRIMI. Edhe pse ke nevojë për ushqim e ujë, ti heqish dorë nga të gjitha, a ka më sublime? Allahu thotë: “Çdo vepër e njeriut është e tij, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë e shpërblej, pa masë.” (Hadith kudsij)
Natyrisht, fjala është për këto vepra madhështore, nëse nuk e dëmton me fjalë nënçmuese. P.sh. dikush mund t’ia falë dikujt një padrejtësi, por pastaj e thumbon dhe rëndon me fjalë të këqija apo me gjeste provokuese, dhe kjo e zhvlerëson veprën.
Në secilin rast, kërkohet etikë, në të kundërtën vepra nuk e meriton shpërblimin e premtuar ‘pa masë’.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Asgjë nuk është më e rëndë në peshoren e besimtarit në Ditën e Kijametit se sa karakteri i mirë, dhe Zoti i urren gjërat e turpshme dhe të pahijshme.”
2. Por, shtrohet pyetja përse janë veçuar këto tri vepra. Janë veçuar së paku për dy arsye:
E para: Sepse, çdonjëra prej tyre, pra falja, sabri dhe agjërimi e kanë një sentiment si vepra, e që kërkojnë vetëmohimin, pra mbizotërimin e zemërimit dhe të egos, e që është gjëja më e vështirë, përndryshe nuk mund të arrihen.
P.sh.: Për të bërë sabër, kërkohet vetëmohim dhe mbizotërim i zemërimit të ashpër, njësoj është edhe te falja dhe agjërimi. Prandaj, populli thotë, trim i vërtetë është ai që e mbizotëron zemërimin.
E dyta: Sepse, çdonjëra kanë peshë funksionale në paqen personale dhe ndërshoqërore. Gjersa falja i jep mundësi përbashkimit, dhe sabri e parandalon të keqen, në anën tjetër, agjërimi e stërvit konkretisht shpirtin e njeriut për të dyjat e për të gjitha.
Zot, na bëj nga durimtarët, agjëruesit, dhe ata që falin për hatërin Tënd!
Orhan Bislimaj
Landovicë, Prizren
9 shkurt 2024