“Por, ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë…!”
(Dersi i xhumasë)
1.
Zoti i Madh, në Kur’an Fisnik, pasi urdhëron për sjellje të mirë ndaj prindërve, e posaçërisht ndaj nënës, dhe pasi urdhëron për falënderim ndaj tyre, në vazhdim thotë:
“Nëse ata dy (prindërit) tentojnë që ti të më bësh Mua shok për atë që ti nuk din asgjë, atëherë mos i dëgjo ata, sillu mirë me ta për gjërat e tjera të dynjasë, porse ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë, e në fund tek Unë do të ktheheni dhe do t’ju lajmëroj për atë që keni punuar.” (Lukman, 14-15).
2.
Prej krejt ajetit, është mjaft inspiruese fjalia “por ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë”.
Allahu po i këshillon të gjithë njerëzit që të marrin për shembull njerëzit që janë fetarë, e jo ata që nuk e besojnë Zotin.
Dijetarët thonë ‘kjo është rruga e pejgamberëve dhe njerëzve të mirë’.
A ka më mirë se sa të ndjekësh rrugën e pejgamberëve!? Rruga e tyre është rruga e suksesit, rruga e dynjasë dhe ahiretit.
3.
Fatkeqësisht, shumë prindër, në vend se të gëzohen për fëmijtë e tyre fetarë, ata e bëjnë të kundërtën dhe luftojnë për shmangien e tyre.
Në këtë pikë, Allahu ka thënë “Mos i dëgjo ata…!”
Nuk iu pengon çfarëdo vesi tjetër negativ, por atyre u pengon feja si koncept.
Po ashtu nuk u pengon që fëmijtë e tyre ndjekin personazhe të degjeneruar, por u pengon pse e praktikojnë një thënie të Allahut apo Pejgamberit.
Prindërit duhet t’i frymëzojnë fëmijtë e tyre për ta ndjekur shembullin e njerëzve fetarë, me vlera e të suksesshëm, e jo shembullin e armiqëve të Zotit.
Prandaj, Allahu nuk ka thënë pasoni prindërit e juaj, por “ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë.”
Orhan Bislimaj
Xhamia e Bajraklisë (Mehmed Pasha), Prizren
17 maj 2024