Veç Zoti inshallah merr hak për Srebrenicën!
(Dersi i xhumasë)
1.
“Pasha Zotin tënd, ata që të gjithë, gjithësesi do t’i marrim në përgjegjësi për atë ç’vepruan.” (El-Hixhr, 92-93).
Këtë betim, Allahu nuk e ka thënë vetëm për armiqtë e Pejgamberit a.s. e të muslimanëve para 14 shekujsh, por për të gjithë kriminelët deri në Kijamet.
2.
Srebrenica, mbetet varr i përjetshëm i ndërgjegjes njerëzore dhe mbi të gjitha i OKB-së, sepse ndodhi ndër sy të tyre e në besë të tyre.
Më në fund, dje më datë 23.05.2024, OKB e aprovoi Rezolutën me të cilën e njohu gjenocidin serb në Srebrenicë, por kjo vonesë apo mohim i gjertanishëm është i pajustifikueshëm.
Iu deshtën botës 29 vjet për t’u bindur se Serbia bëri gjenocid në Srebrenicë!?
A nuk mjaftuan shpirtat e 8372 boshnjakëve muslimanë (burra, gra, fëmijë, plejq, shtatëzëna) që u masakruan për së gjalli, për dy ditë, në mënyrën më barbare!?
Srebrenica nuk zhbëhet dot, njerëzit nuk ringjallën, por populli boshnjak ka pasur nevojë më herët për një përkrahje të tillë.
Sa e sa familjarë kanë vdekur me mërzinë e mosnjohjes nga bota!?
Sidoqoftë, për hirë të së ardhmes duhet përshëndetur vendimin e OKB-së.
3
Për mua 11 Korriku është dita më e vështirë e vitit! Sa herë e kujtojmë Srebrenicën, më kaplon një mërzi e rëndë, që ta përvlon shpirtin.
Në këtë ditë na përfytyrohet rasti i Nerminit, që kishte ikur diku në mal. E thirri babai se serbët i premtuan siguri. Ai erdhi, por idiotët e masakruan babë e bir dhe shumë të tjerë bashkë me ta.
Nuk donin të lenin asgjë të gjallë!
Inshallah Zoti merrr hak për Srebrenicën.
Zot, mëshiroji 8372 shehidët e Srebrenicës, flladiti me sabër familjet e tyre!
Orhan Bislimaj
Xhamia Mehmed Pasha (Bajraklia), Prizren
24 maj 2024