1.
Sot, më datë 1 korrik 2024 (e hënë), në moshën 88 vjeçare, ndërroi jetë shkrimtari i madh shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare nga Gjirokastra e Shqipërisë.
Kështu është kjo jetë, një ditë secili do të kthehet te Zoti i Gjithësisë.
Pejgamberi i Zotit ka thënë: “Jeto sa të jetosh, një ditë do të vdesësh, duaje sa ta duash, një ditë ke për t’u ndarë dhe bën çka t’bësh një ditë ke për të dhënë llogari!”
2.
Kam lexuar prej shumë autorëve, por janë sidomos dy të tillë, sa herë që i lexoj e ndjej lezetin e gjuhës shqipe, Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare.
Shkrimet e tyre letrare, në prozë e poezi, i ngjasojnë rrjedhës së ujit që e gjen shtratin e vet me rënie të lirë.
3.
Sot, në vdekjen e tij, do të doja të ndjeja dhembje shumë të madhe për këtë humbje, apo të bëja dua (lutje) te Zoti për ta mëshiruar atë me xhennet, ashtu siç e ka emrin, Ismail – emër i njërit prej pejgamberëve të Zotit.
Por, vetë Kadare për të gjallë të tij na privoi nga kjo mundësi neve si shqiptarë myslimanë, nga portretizimi me figurën e ‘Haxhi Qamilit’, e deri te thirrjet për braktisjen e kulturës islame përmes ridefinimit të identitetit, në trajtesën e tij ‘Identiteti Europian i Shqiptarëve’ (2006).
Jo pse e lëndoi pjesën më të madhe të kombit në nivel të trojeve etnike, e as pse mund të ishte një lloj racizmi, e as madje pse e komprimentoi atë, por sepse ishte thirrje për shpërbërjen e identitetit kombëtar shqiptar.
Në këtë mes, krahas Rexhep Qosjes që e argumentoi se identiteti fetar (islam) është pjesë përbërëse e identitetit të përgjithshëm kombëtar shqiptar, në anën tjetër, nga këndvështrimi profesional, gabimin e Kadaresë e provoi shkencërisht Kristo Frashëri me veprën e tij ‘Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera – ndërhyrje në debatin Ismail Kadare – Rexhep Qose (2006).
Më vjen keq, që Kadare si një shkrimtar i madh shkoi me këtë gabim para Zotit.
Ngushëllime familjes, lexuesve dhe të gjithë shqiptarëve…!
Orhan Bislimaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *