1.
Në të kaluarën i kanë thënë ‘mejtep’, kurse emri origjinal është ‘mekteb’, që nënkupton zyrën e imamit, përkatësisht mësonjëtoren ku mësojnë fëmijtë, në kuadër të xhamisë.
Me kalimin e kohës, mektebi ka nënkuptuar vetë organizimin e mësimbesimit, ta zëmë siç janë shkollat sot, pavarësisht vendin ku mbahet ai, në zyrë, objekt të veçantë apo në xhami.
2.
Çdo njeri e di se mektebi përbën celulat e para të procesit edukativo-arsimor ndër shqiptarë. Tani, mos pritni të themi se dikur ka qenë përfekt, por ka qenë vatër arsimimi, ekuivalent me zhvillimin e shoqërisë përkatëse.
Suzi Zerrini në vitin 1513, në Prizren, e çeli mektebin, mësonjëtoren e profilizuar, në kuadër të bibliotekës së vet, që është e para në Ballkan.
Njësoj si sot, ai i ka mësuar fëmijtë në gjuhën shqipe, natyrisht me shkronja të osmanishtes, pasiqë alfabeti ynë, nuk ekzistone asokohe. Por, ai u ka folur fëmijëve shqip, i ka këshilluar shqip dhe u ka mbajtur ligjërata arsimore shqip.
3.
Fatkeqësisht, ideologjia anti fe (komuniste), e ka mohuar vlerën arsimore të mektebit, në kuadër të historiografisë shqiptare, duke ngjizur idenë se arsimimi ndër ne, shqip, ka filluar me Mësonjëtoren e Korçës, të themeluar nga Pandeli Sotiri në vitin 1887!? Ky është një gabim i pafalshëm, po aq sa i pa vërtetë, sepse na ka dëmtuar të gjithëve.
(Natyrisht, askush nuk e mohonë rëndësinë laike të saj, kundrejt shumë shkollave fetare të kohës, e sidomos atyre greke.)
Në fakt, ai filloi të shkruante gjuhën shqipe, bazuar edhe në abetaren që Sami Frashëri e kishte botuar më parë, por kjo nuk do të thotë se arsimi po fillonte me të.
Të gjithë kombet mundohen të nxjerrin argumente nga hiçi për qytetërimin e vet, na shqiptarët gjithmonë kundër vetvetes.
Në mes shkrimit e arsimimit ekziston dallimi, sikurse që ekziston dallimi në mes letërsisë gojore dhe asaj të shkruar.
Pastaj, sot ka të verbër që nuk shkruajnë dot, por ata janë të arsimuar, qoftë edhe përmes alfabetit ‘braj’ ose përmes dëgjimit.
Apo rasti tjetër, kur Kemal Ataturku, në vitin 1923 e shndërroi popullin në analfabetë brenda natës, përmes ndryshimit të alfabetit, nga ai osmanisht në atë latinisht. Sipas të njëjtës logjikë, i bie se arsimi tek ata (turqit) ka filluar prej atij viti, e dihet se kjo nuk është e vërtetë!?
Prandaj, arsimi shqip ndër shqiptarë është i hershëm, e jo prej vitit 1887, e mektebet e kanë lujtur këtë rol arsimor, që prej ndërtimit të xhamive në trevat tona…!
(vijon…)
Orhan Bislimaj
P.S.
Programi solemn i KBI-Prizren, i mbajtur më datë 11 korrik 2024, te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me rastin e përmbylljes së vitit shkollor në Mekteb 2023/2024.