‘Përfytyrimi’ absurd i Zotit…!

Kurreshtja për të panjohurën e ka shoqëruar njeriun, që nga lashtësia.

Për shembull, njerëzit, akoma e nderojnë fluturën e bardhë (e shenjtërojnë), me idenë se ajo bartë shpirtin, e ndonjë gjyshi apo stërgjyshi.

Sipas tyre, pas vdekjes së njeriut, shpirti bëhet flutur dhe i shetit të gjitha vendet kah ka ecur më parë!?

Edhe në të kaluarën, po edhe sot, kurreshtja për Zotin, ka qenë kategorike. Mund të themi, çdo popull ka besuar Krijuesin, por rrugët i kanë ndarë te mënyra e besimit. Këtu thyhen shtizat edhe në mes të feve monoteiste!

Dikush e ka ‘përfytyruar’ Zotin, duke e personifikuar si njeri shumë të madh!?

Idhujtarët, imazhin e përfytyruar të Zotit, e kanë gdhendur në gur dhe të njëjtin e kanë adhuruar e përqafuar! Disa besuan, se heronjntë, pas vdekjes shndërrohen në hyjni, andaj i adhuruan ata, pas vdekjes!

Të tjerë i hyjnizuan kafshët, zvarranikët, insektet, me besimin se e kanë imazhin e Zotit, etj.

Pra, mund të përmendim, aq sa ka besime fetare nëpër botë!

Fatkeqësisht, njerëzit, me këto bindje e kanë ofenduar Krijuesin e gjithësise, qoftë duke e zbritur në nivele të ndryshme tokësore, ose anasjelltas, duke i glorifikuar krijesat në nivel hyjnish.

Në këtë kurth të ‘përfytyrimeve’ absurde, mund të bien edhe muslimanët, që nuk kanë njohuri bazike.

Sipas konceptit islamë, të gjitha përfytyrimet për Krijuesin janë absurde, të ndalueshme rreptësisht dhe mëkat i rëndë. Përfytyrimet, janë tipar i idhujtarëve!

Ne, mund ta njohim Allahun, vetëm aq sa Ai na ka ofruar informacione për Qenien e Vet, në Kur’an, apo Pejgamberi a.s. në hadithet e tij.

Përtej kësaj, nuk lejohet të shtojmë e as të pakësojmë! Zoti, na ka ndaluar në Kur’an, që të themi për Krijuesin atë që nuk e dijmë se është e vërtetë.” (shih: El-A’raf, 33).

Prandaj, çdo përfytyrim i Krijuesit apo përngjasim i Tij, apo përngjasim i krijesave me Atë, përbën gabim të rëndë. Allahu thotë: “Absolutisht, asnjë send nuk është si Ai” (Kur’ani, Esh-Shura, 11).

Në këtë kuptim, akaidologët e kanë çelikosur parimin e famshëm, ‘çdo gjë që të vjen në imagjinatë, Allahu është krejt diçka tjetër nga ajo’ (كل ما خطر ببالك فالله سوي ذلك).

Zot i Madh, na mbroj nga #Covid-19 (#coronavirus)…!

 

Dr. Orhan Bislimaj

Prizren, 03 Prill 2020

(Nga karantina, #Covid-19)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *