1.
Në misionin e tij parësor, Mektebi lindi si motiv, funksionoi si qëllim, mbijetoi si vlerë, kurse ekzistoi si nevojë.
U bë pjesë e rëndësishme e etnokulturës së shqiptarëve, jo për shkak të emrit, e as për shkak të historisë, e as për shkak të ndonjë imponimi, ngaqë ishte vullnetar gjithmonë, por si një vlerë e pazëvendësueshme në edukimin e fëmijëve.
Si i tillë, as nuk vjetërsohet dhe as nuk bëhet demode, sepse vlerat e njëmendta ekzistojnë pavarësisht subjektit.
Zoti ekzistoi, edhe kur njeriu nuk ishte, për këtë arsye besimi në Zotin, si vlerë, i paraprin njeriut.
Dija, ekzistoi që kur Allahu e shkroi në detaje ngjarësinë e krijesave, njësoj edhe drejtësia, filloi që kur Zoti e krijoi gjithësinë me një precizitet absolut, etj, andaj ato ekzistojnë para njeriut.
E, njeriu fisnikërohet aq sa merr prej këtyre vlerave ontologjike, sikurse që degradohet po aq sa i mungojnë ato.
2.
Në antikitetin e thellë njeriu e kërkoi Zotin, kur nuk kërkoi asnjë vlerë tjetër. Edhe në Mesjetë, njeriu e kërkoi Zotin. Edhe sot njeriu e kërkon Zotin, edhe në të ardhmen do ta kërkojë Zotin.
Është thënë se uji kthehet në burimin e vet nga i cili ka dalë.
E kërkon, sepse ishte dhe është motiv kongnitiv – i lindur, i skalitur në shpirtin e njeriut.
Me vetë faktin që njeriu e ka etjen, është dëshmi e qartë se diku ekziston uji.
Në jo pak vende, Zoti i drejtohet njeriut, “Se në vetveten tuaj keni argumente, a nuk po logjikoni!?”
‘E, kush e njeh vetveten, ai në fakt arrinë ta njoh Zotin’, kjo fjali është bërë moto e përgjithmonshme te dijetarët e filozofët.
3.
Siç e kemi thënë, ka pasur periudha kur Mektebi e feja kanë kaluar momente të vështira, do të ketë edhe në të ardhmen, por ato nuk janë shuar e as nuk do të shuhen kurrë, për të njëjtat arsye për të cilat po flasim.
(vijon…)
Orhan Bislimaj
P.S.
Foto nga Programi solemn i KBI-Prizren, i mbajtur më datë 11 korrik 2024, te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me rastin e përmbylljes së vitit shkollor në Mekteb 2023/2024, lutje për Ymer Prizrenin dhe të gjithë dëshmorët!