1.
Dikur, prindërit e kishin preokupim sigurimin e bukës e të veshmbathjes për fëmijtë, por kjo kohë ka mbaruar.
Shyqyr Zotit të gjithë e kanë idaren e mbijetesës.
Po ashtu, dikur e kishin preokupim shkollimin e fëmijëve, saqë shumë talentë janë djegur për shkak të kushteve.
Edhe kjo brengë, sot nuk ekziston…
Por, periudha moderne, e ka prodhuar një sfidë tjetër tepër serioze: ‘Brenga për ndërtimin e individit’.
2.
Çfarë individi po ndërtojmë në kohën tonë, kjo duhet të jetë brenga jonë si prind, si shoqëri dhe si komb.
A është fëmija im i sotshëm, ai që do ta transmetojë imazhin e familjes shqiptare, të shoqërisë dhe të kombit në mënyrë autentike!?
Pastaj, ky transformim i pandalshëm shoqëror në të gjitha poret, a po ndodhë në gjërat periferike të kulturës e identitetit kombëtar, apo e ka prekur palcën tonë, duke na dërguar në portën e vetasimilimit, huajtjesimit dhe tjetërsimit?
Dhe, cili është roli i Mektebit në këtë mes, a mund të jetë një gardian autokton?
3.
Për shkak të globalizmit erruptiv e mbizotërues (ku kulturat e huaja hyjnë e dalin pa cenzurë, e ku ato të mëdhatë i rrëmbejnë ato të voglat), në shoqërinë tonë po ndodh një tjetërsim ideo-kulturor, ndoshta më i shpejtë se ç’është menduar.
Dhe, ky tjetërsim, tek rinia shqiptare po shpërfaqet në përmasa degjenerimi si pjesë e diskursit modern, ku numri i prindërve të zhgënjyer me fëmijtë është bërë tepër i madh.
4.
E, në këtë hall prindëror, Mektebi na vjen në ndihmë. Fëmijtë në mekteb frymëzohen për vyrtyte të larta dhe vetëbesim për vlerat që posedojnë.
Aty, e rifitojnë një ‘membranë kulturore autoktone’ që i bënë imunë kundrejt rrëkeve të huaja dhe veseve negative, atë që ndoshta nuk mund ta bëjnë prindërit në shtëpi, apo ‘kurset’ e tjera.
Këtë rol, mektebi është duke e luajtur edhe në diasporën shqiptare, për dallim nga të tjerët që i janë dorëzuar fatit të tjetërsimit.
Sot, marrë para sysh sjelljen, veshjen, moralin, etj., thënë të drejtën, rinia fetare është duke e bërë dallimin vleror me të tjerët.
Rrjedhimisht, nuk mund ta gjesh një prind, që në fund të ditës është zhgënjyer me këtë rini, përkundrazi…!
(vijon…)
Orhan Bislimaj
P.S.
Në foto, Melisa Loshaj, duke recituar poezinë ‘Mektebi’, që i bën thirrje prindërve për t’i dërguar fëmijtë në Mekteb, në Programin e mbajtur më datë 11 korrik 2024, te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me rastin e përmbylljes së vitit shkollor në Mekteb 2023/2024.