1.
Shumë prindër çështjen e fesë e shohin si diçka të parëndësishme për fëmijtë. Në fakt, ky është gabimi më i madh prindëror i tyre.
Këtu, nuk po flas si hoxhë, por si një hulumtues i lirë, apo studiues.
Hyri rreth e përqark dynjasë, hyri rreth e përqark historisë njerëzore, lexoji librat e shko deri te Sokrati, te Platoni e te Aristoteli, do të bindesh se besimi fetar ka qenë konstantja e njerëzimit.
Shko edhe më larg, deri te ‘Epi i Gilgameshit’, te Papiruset e Leningradit e te Kodi i Hamurabit, etj, që dihen si vepra më të lashta, do ta shohësh përsëri se elementi i besimit fetar ka qenë pjesa më e rëndësishme.
Me të drejtë, Henri Bergson thotë: “Është gjetur dhe gjendet shoqëri njerëzore pa shkencë, art e filozofi, mirëpo asnjëherë nuk është gjetur ndonjë shoqëri pa fe.”
2.
Mbylle fletën e historisë, hajde ta hapim atë të sociologjisë, antropologjisë e psikologjisë. Të gjithë e thonë se besimi fetar ka qenë pjesë e pandashme e njeriut.
Të njëjtën e thotë sociologu më i njohur bashkëkohor, A.Giddensi. Të njëjtën e thotë antropologu i njohur, Erih Fromi, i cili nevojën për religjion e cilëson si diç të rrënjosur në kushtet themelore të ekzistencës së qenies njerëzore.
Të njëjtën e thotë Karl Gustav Jungu, themelues i psikologjisë analitike, sipas të cilit, në shpirtin e njeriut gjenden akretipa religjiozë, të cilët ai i cilëson si “dispozita shpirtërore që, varësisht nga përkatësia e individit në një kulturë a religjion të caktuar, prodhojnë figura hyjnore të shumëllojshme.”
3.
Domethënë, besimi fetar asnjëherë nuk ka qenë kontestuese, por ka qenë problematike mënyra e besimit.
Fundja, ky është një konsenzues i të gjitha feve të mëdha.
Për këtë arsye, kurrë nuk kanë mundur ta ndalin fenë, e as nuk do të mund ta ndalin ndonjëherë.
Prandaj, sipas fesë Islame, secili prind e ka për obligim që fëmijës së vet t’ia mundësojë mësimbesimin për gjërat elementare të fesë, qysh me besu në mënyrë të drejtë Zotin.
Nëse këtë nuk mund ta bëjë prindi vetë, dhe nuk mund ta bëjë, atëherë dërgimi i fëmijëve në Mekteb është domosdoshmëri prindërore, para se ta dërgojmë në ‘kurse’ të ndryshme private…!
(vijon…)
Orhan Bislimaj
P.S.
Në foto, Ambla Çoçaj, duke ma dhuruar një vepër arti (logoja e KBI-Prizren), të punuara nga vetë ajo, 22.07.2024.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *