-Arif ef. Memedaj – Mualim i Dalluar
-Mërgime Kalanderi – Mualime e Dalluar
1.
E nisa këtë seri të shkrimeve për rolin e rëndësinë e Mektebit, por do ta përmbylli me performancën e personelit edukativo-arsimor.
Më kujtohet, një prindë që e kishte dërguar fëmijën e vet në klasën e parë në shkollë, ndihej shumë i lumtur, ngaqë fëmija e kishte pëlqyer Mësuesen.
Kjo është domethënëse.
2.
Edhe në të kaluarën po edhe sot, imami që mbante mësim në mekteb, duhej t’i plotësonte disa kritere bazike: të ishte i aftë, i arsimuar, i ndershëm, i edukuar, me karakter të fortë, etj.
Po ashtu, duhej të ishte i pastër nga veset negative e thashethemet.
Bile, Mehmet Kuklibeu, në vakufnamenë e tij për Mektebin që e themeloi pranë xhamisë së tij në Zinovë (Bresanë), në vitin 1538, e kishte theksuar se Mualimi nuk duhej të merrej as me punë të bujqësisë.
Por, kur jemi këtu te cilësitë që duhet t’i ketë mësimdhënësi, personalisht më ka pëlqyer libri “Ibën Rushdi dhe filozofia e tij e arsimit”, autor Dr. Numan Jusuf Aruç, botim i Logos-A, 2006, ku jepet një ndërlidhje interesante në mes fesë e shkencës, nxënësit e mësuesit.
Këtë libër ia preferoj secilit mësues apo mësuese.
3.
Sot, në Mekteb, kemi kuadër të arsimuar dhe në këtë aspekt prindërit duhet të ndihen komod.
Përveç imamëve që dihet, në dekadën e fundit e sidomos në këto 5 vitet e fundit, janë angazhuar edhe mualimet e arsimuara (mësueset fetare), gjithandej Kosovës, dhe është prej veprimeve më të mençura të Bashkësisë Islame.
Në Prizren janë 26 mualime.
4.
Vërtet të gjithë janë për lavdatë, imamë e mualime, por sivjet me rastin e përmbylljes së vitit shkollor 2023/2024, në shenjë motivimi, KBI-Prizren ndau dy mirënjohje:
– Arif ef. Memedaj, iu nda mirënjohja ‘Mualim i Dalluar’, nga radha e imamëve – imam në xhaminë Medina; dhe
– Mërgime Kalanderi, iu nda mirënjohja ‘Mualime e Dalluar’, nga radha e mualimeve – koordinatore e Departamentit të Gruas, Prizren.
(Fund)
Orhan Bislimaj