Zoti kuptimplotë…!
Njeriu, i hyri në hak Krijuesit, kur e përfytyroi në lloj-lloj formash!
Kur’ani citon idhujtarët, megjithëse i besonin të njëjtit Krijues, që edhe ne i besojmë, në anën tjetër, e skulpturuan ‘imazhin’ e Zotit.
Disa e bën shumë të madh, tjetri i dha formën e një kafshe, tjetri të ndonjë personi, e kështu me radhë tylefarë.
Për shembull, vetëm në Qabe kanë qenë mbi 360 të tillë.
Dhe, sabah aksham, apo kur niseshin e ktheheshin prej udhëtimit, i përqafonin me admirim e falënderim!
Allahu e ka dënuar ashpër këtë koncept materialist e antropomorfist! Njëherit kjo përbën naivitetin thellë njerëzor!
Prandaj, Krijuesi i gjithësisë, atë kureshtjen e flaktë të njeriut, për ta pasur Zotin afër në imazhe të ndryshme, ia përmbushi me sqarimin e cilësive të Tij Madhështore.
Pas kësaj, të njëjtit idhujtarë, e gjetën prehjen shpirtërore dhe e përqafuan besimin islam!
Sipas besimit islam (imanit), Allahu i Lartëmadhërishëm posedon Qenien (Dhat) dhe cilësitë e Tij (Sifat), që janë pjesë e pandashme e Qenies.
Cilësitë e Allahut, që duhet t’i dijë secili musliman, janë:
1) Ekzistenca (El-vuxhud) – Allahu ekziston;
2) I Përhershëm pa fillim (El-Kidem) – Ai, nuk ka fillim, sikurse që kanë krijesat dhe kjo gjithësi;
3) I Gjithmonshëm pa fund (El-Beka) – Allahu nuk ka fund, siç e kanë krijesat;
4) Është Një i Vetëm (El-Vahdanijjeh) – Allahu është Unikat!;
5) I Pangjashëm me krijesat (El-Muhalefetu lil-havadithi) – Në asnjë gjendje, Allahu nuk përngjason me krijesat, nuk mund të përfytyrohet, absolutisht!;
6) Ekziston vetvetiu (El-Kijamu bin-nefsi) – Zoti nuk ka nevojë për t’I ndihmuar dikush për ekzistencë;
7) Dituria (El-Ilm) – Allahu është i Gjithëdijshëm, pa kufizim;
8) Fuqia (El-Kudretu) – Allahu është i Gjithëfuqishëm, pa kufizim;
9) Vullneti (El-Iradetu) – Allahu është i vullnetshëm, pa kufizim;
10) Dëgjimi (Es-Sem’u) – Allahu dëgjon, pa kufizim;
11) Shikimi (El-Besaru) – Allahu shikon, pa kufizim;
12) Jeta (El-Hajat) – Allahu është i Gjallë;
13) Të folurit (El-Kelam) – Allahu fol, pa kufizim;
14) Të krijuarit nga asgjëja (Et-Tekvinu) – Allahu krijon nga asgjëja dhe në vazhdimësi. Ai është krijuesi i vetëm i çdo gjëje, që e dijmë apo nuk e dijmë.
Të gjitha këto cilësi, kanë karakter absolut dhe nuk ngjasojnë në asnjë aspekt me cilësitë e krijesave.
Për shembull, Allahu shikon, dëgjon, flet, etj., porse, nuk kanë të bëjnë asgjë me fenomenin e të shikuarit apo të dëgjuarit fizik. Përmes gjuhës tokësore, Allahu ka folur për Qenien e Vet, ashtu që njeriut t’i mundësohet konceptimi. Përndryshe, Allahu është absolutisht I pangjashëm me asgjë!
Zot i Madh, na largo pandeminë #Covid-19…!
Dr. Orhan Bislimaj
Prizren, 06 Prill 2020
(Nga karantina, #Covid-19)