1.
Në Kur’an, Allahu e ka përshkruar një kategorie të njerëzve, që janë tepër të mirë dhe i ka cilësuar si ‘ibadu’rr-Rrahman’ – robë të dashur të Zotit.

E një prej atyre vetive të shumta të këtyre njerëzve është ‘mesatarja në shpenzime’, ku Allahu thotë:
“Edhe ata që kur shpenzojnë (për nevojat e tyre) nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, po mbajnë një mesatare dhe janë të matur.” (El-Furkan, 67)

2.
Gjersa në të kaluarën ka qenë preokupim idarja për mbijetesë, në kohën tonë njerëzit janë duke bërë gara në lluks të tepruar.

Në fakt, ky fenomen psikologjik është bërë vatër e të gjitha krizave për njeriun modern, sepse është diçka që nuk ka tavan.
Shih shoqi shoqin e bën gara, cili po ia kalon tjetrit!?

Edhe njeriu i pasur, në këtë garë është duke u ndjerë i varfër.

Ka ushqim cilësor, nuk i hahet; ka rroba shumë të mira, nuk i pëlqejnë; ka veturë luksoze, e kërkon një tjetër, etj.
(Nëse e analizojmë hollë e hollë, pikërisht në këtë fenomen të masrafit, ngjizet fukarallëku i njeriut si qenie, por për këtë do të flasim njëherë tjetër).

3.
Në këtë periudhë të dasmave e ahengjeve, duhet të përmbahemi nga masrafi i tepërt. Për atë që është e nevojshme e bazike, duhet të shpenzojmë arsyeshëm, por është tragjike të hysh në borxhe për çështje lluksi.

Masrafi është armiku më i madh i njeriut…

T’i mësojmë edhe fëmijtë, që troshat mbi tavolinë, në fund të ushqimit t’i mbledhim e t’i hajmë, sepse bereqeti është në trosha, e jo t’i gjuajmë.

Fundja, edhe me logjikën ekonomike, njeriu nuk fiton duke fituar, por duke kursyer.

Prandaj, Allahu ka thënë: “Mos e teproni me masraf, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë.” (El-En’am, 141).

Orhan Bislimaj
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
26 korrik 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *