1.
Allahu na ka quajtur në Kur’an, ‘ymet i mesëm’ (ummeten vesetan).
Nga këtu, mesatarja si koncept etik është objektiv linear islam, kurse ekstremet çfarëdo qofshin ato janë tejkalime, andaj janë të dëmshme për vetë individin dhe shoqërinë.
Kur hamë bukë duhet të hamë me masë, edhe kur gëzohemi duhet të gëzohemi me masë, edhe kur nërvozohemi duhet ta mbajmë veten, edhe kur mërzitemi duhet me masë, edhe kur flejmë duhet me masë, edhe kur bëjmë ibadet duhet me masë…
2.
Jemi në periudhën e gazmendeve familjare (dasma, kanagjegje, fejesa, syneti etj). Shyqyr që janë për të mirë…
Por, këto momente të lumtura nuk duhet t’i kundërvihen anës tonë normale, duke na larguar nga ibadetet, apo duke na çuar në mëkate.
Gjithmonë duhet gëzuar me masë.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos qesh shumë, sepse të qeshurit e tepërt e vdes zemrën.”
Sipas një studimi të publikuar, teprimi në gëzim i bën provokim serioz zemrës, kurse përsëritja e shpeshtë e të qeshurave malekse, e rrezikojnë zemrën duke i shkaktuar sindromin “takotsubo”, i cili mund ta ndalojë punën e zemrës.
3.
Në tërësinë e gëzimeve apo hidhërimeve, gjithmonë përmende Allahun, duke falur namaz.
Kurrë mos e lë namazin për shkak të ahengjeve!
I Madhi Zot kur flet për namazin, thotë: “e përmendja e Allahut është më e madhja…” (El-Ankebut, 45)
Në lidhje më këtë ‘përmendje’, dijetarët i japin dy verzione:
– Sipas verzionit të parë, është për qëllim përmendja e jote që ia bëjsh Allahut gjatë faljes së namazit; dhe
– Sipas verzionit të dytë, është për qëllim përmendja e Allahut ndaj teje gjersa je në namaz dhe kjo është ajo përmendja më e madhja se sa përmendja jote që ia bëjsh Allahut.
Nëse ti e përmendish Allahun, e ke përmbushur obligimin e ibadetit ndaj Tij, mirëpo nëse Allahu të përmend ty, kjo do të thotë se Ai është i kënaqur me ty dhe ka për t’ju dhuruar mirësi të panumërta, do t’ju dhurojë kënaqësi në jetë, qetësi në shpirt, urtësi, të bën krenar ndër njerëz, etj.
Orhan Bislimaj
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
2 gusht 2024