‘Ti, ruaju pak, e Unë të ruaj shumë…!’

Kjo frazë, me të drejtë ka gjetur përdorim të gjerë, në të folmen e popullit. Si e tillë, pra si përmbajtje, ka mbështetje në Kur’an dhe hadithe të Pejgamberit a.s.

Ideja është te shfrytëzimi i sebebeve, si një standard i përgjithshëm. Pjesa e parë ‘ruaju pak’, ka për qëllim ndërmerri masat për veten.

Për shembull, Allahu ia ka siguruar rrizkun secilit njeri, por e ka obliguar t’i marrë sebebet: ‘O robi im, lëvizi duart, që t’zbresë rrisku! (hadith kudsij). Në këtë rast, sebebet janë interesimi për punë, hakatja e idares, lëvizja, etj.

Edhe për nxënësit është njësoj,  “me të vërtetë, dija arrihet përmes mësimit”- ka thënë Pejgamberi a.s.

‘Ti ruaju pak, e Unë të ruaj shumë!’ Po, shumë e saktë. Nëse shohim ndonjë rrezik real, duhet të largohemi, duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që e pamundësojnë atë. Për shembull, ‘karantina’, në këtë kohë pandemie, e ka këtë qëllim.

Vetë akti i largimit apo karantimit është ai ‘sebepi’, që i hap rrugë ndihmës së Allahut. Apo shkuarja te mjeku kur sëmuremi. E, pastaj çështja mbetet në dëshirën e Allahut, i Cili vepron me urtësi hyjnore.

Në të kundërtën, pra, nëse nuk largohemi, apo nuk shkojmë te mjeku, atëherë e kemi lënë vetveten në vetëshkatërrim. E, Allahu ka porositur: “Dhe mos e sillni veten tuaj në shkatërrim! (Kur’ani, El-Bekare, 195).

Edhe më tej, ideja e kësaj fraze, gjen mbështetje, sidomos në ajetin: O besimtarë, nëse ju ndihmoni All-llahun, Ai u ndihmon juve!” (Kur’ani, Muhamed 7).

Këtu, nuk është në pyetje se Zoti ka nevojë për ndihmën e njerëzve. Jo, absolutisht. Por, i ka treguar njeriut, se jetësimi i fjalës së Allahut (fesë islame), në sipërfaqën e tokës, është sebep për ndihmën e Tij.

Dhe, në këtë rast, vepron parimi i proporcionit, aq sa je në dyzenin e Zotit, aq pritet ndihma e bereqeti prej Tij.

Zot i Madh, na largo këtë pandemi të keqe! #rriNshpi…!

 

Dr. Orhan Bislimaj

Prizren, 09 Prill 2020

(Nga karantina, #Covid-19)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *