1.
Për dallim prej melekëve, te njerëzit Allahu i ka vendosur dy veti:
– lakminë e madhe për dynjanë, pra pangopësinë; dhe
– adaptimin me gjendjen ekzistuese, çfarëdo qoftë ajo, e mirë apo e keqe.
Me pas sa me pas të mira, njeriu kurrë nuk ngihet. Sapo ta arrijë një dëshirë, adaptohet me gjendjen dhe përsëri kërkon diçka tjetër.
(Po ashtu, me pas sa me pas ndonjë siklet, apo mërzi, me kalimin e kohës adaptohet dhe i lehtësohet).
Në fakt, njerëzit mund të mos e kuptojnë, por pikërisht këtu ngjizet fukarallëku real i çdo insani dhe këtë e ka vërtetuar Allahu në Kur’an.
2.
Një njeri erdhi te Pejgamberi (a.s.) dhe i tha: O Pejgamber i Zotit! Mësoma një punë që, nëse e bëj, do të më dojë edhe Allahu, edhe njerëzit! Pejgamberi (a.s.) i tha: “Mos e lakmo dynjanë, që të të dojë Allahu dhe mos e lakmo atë që është në duart e njerëzve, që të të duan njerëzit!” (اِزْهَدْ فِي الدُّنْيَا يُحِبُّكَ اللَّهُ، وَازْهَدْ فِيمَا فِي أَيْدِي النَّاسِ يُحِبُّكَ النَّاسُ)
Përgjigje më kuptimplote nuk mund të gjesh e as nuk mund të japësh.
Hadithi nuk ka për qëllim nënvlerësimin e dynjasë, absolutisht, sepse është urë për në ahiret. Por, ka për synim vetëdijësimin e njeriut në raport me dynjanë që është kalimtare dhe e përkohshme.
Kur i tha, ‘mos e lakmo dynjanë’, do të thotë mos u bën rob i dynjasë, sepse në të njëjtën kohë nuk mund të jesh edhe rob Allahut.
Dynjaja është si uji i detit (i njelmët), sa më shumë që pijsh prej tij, po aq shtohet etja.
3.
Pasioni i madh pas dynjasë e humb njeriun në labirinthet e pafundme.
Sa e sa njerëz, kalojnë ditë e javë, pa e kujtuar Zotin.
Zemrat që nuk e kujtojnë Zotin, e humbin aftësinë për ta dalluar të mirën nga e keqja, andaj ata të keqen e shohin të mirë dhe anasjelltas.
Sa e sa musliman e kanë obligim namazin e xhumasë, por nuk e falin atë për shkak të pasioneve pas dynjasë.
Ai që e ka shndërruar dynjanë në idhull, jetën ia fal dynjasë dhe nuk zgjedh mjete e rrugë për realizimin e qëllimeve, paçka edhe haram edhe pa të drejtë.
Feja në mëson që të punojmë shumë në këtë botë, por gjithmonë me konceptin se një ditë do të vdesim, do t’i lëmë të gjitha, do të japim llogari për të gjitha, dhe se ahireti është më i rëndësishëm se sa kjo botë…
Orhan Bislimaj
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
23 gusht 2024