1.
Kur lind një fëmijë gëzohen prindërit shumë, sepse është një begati e veçantë prej Allahut.
Por, në anën tjetër, fëmija vjen në këtë botë në mes të dy opsioneve:
– Ose është ‘nimet’ prej Zotit për prindërit, pra mirësi, krenari, zbukurim, ashtu siç ka thënë Allahu: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote…” (El-Kehf, 46)
– Ose është ‘nikmet’ (mirësi fatkeqe) për prindërit, domethënë turp, pikëllim, zhgënjim, etj, sikurse ka thënë Allahu: “Dhe, dijeni se pasuria e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë… (El-Enfal, 28)
Në këtë mes, lutjet tek Allahu dhe angazhimi edukativ janë vendimtare në këtë përcaktim.
Sa e sa prindër sot janë n’zor të shpirtit prej evladit të keq, gjersa më mirë të mos e kishin pasur fare dhe i luten Zotit përditë që t’ua heqë qafe nga kjo dynja.
Prandaj, po thuajse të gjithë pejgamberët, i kanë bërë lutje Zotit që t’u dhurojë evladë të mirë.
2.
Më datë 2 shtator filloi vitit i ri shkollor 2024/2025. Bëjmë lutje tek Allahu që t’u dhurojë suksese më të mëdha, mësuesve e nxënësve.
Por, kurrë mos ta harrojmë rolin vendimtar të prindërve për suksesin e nxënësve. Prindërit duhet të punojnë ngushtë me shkollën.
Fajin për suksesin e dobët të fëmijëve, para se ta kërkojmë te shkolla, duhet kërkuar te prindërit. Frymëzimi për dijen lind në familje, kurse zhvillohet në shkollë.
Për mësuesit, në sytë e fëmijëve duhet të flasim veçse mirë, sepse fëmijtë i mësojnë lëndët edhe për shkak të mësuesit dhe e kundërta.
3.
Krahas shkollave, edhe Mektebi i ka bërë shpalljet për pranimin e nxënësve të rinj, për vitin shkollor 2024 / 2025.
Asnjë fëmijë nuk duhet të rritet pa kaluar nëpër dyertë e mektebit, ky duhet të jetë rregull.
Nëse prindi nuk ia mëson fëmijës së vet gjërat elementare të fesë Islame dhe as nuk e dërgon në mekteb, ai prind mbetet përgjegjës para Zotit, në dynja e ahiret.
Kurrë nuk kam takuar një prind që është zhgënjyer më fëmijën e tij fetar e namaztar, por aso të tjerë që janë dëshpëruar me fëmijtë e tyre, kam takuar e po shoh përditë.
Njerëzit i nderojnë prindërit e fëmijës së mirë, sepse e kanë ndihmuar shoqërinë në mënyrën më të mirë.
E, kultura e mektebit u ndihmon fëmijëve dhe në shkollë…!
Orhan Bislimaj
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
6 shtator 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *