1.
Shumëkush mendon se ai ishte i mbinatyrshëm, apo ishte melek, apo ishte i ngjashëm me ndonjë fantazmë, që shfaqet e zhduket në moment…
Jo, Pejgamberi i Zotit, Muhamedi a.s. për nga aspekti qeniesor ishte njeri sikurse njerëzit e tjerë; u lind në vitin 571 nga babë Abdullahu dhe nënë Emineja; përbëhej prej gjakut e kockave, hante e pinte, punonte e lodhej, flinte e pushonte, gëzohej e hidhërohej, etj.
Por, ai e kishte një veçori që nuk e kishin të tjerët: atij i vinte shpallja (Kur’ani) prej Zotit dhe kjo e bën personin më me vlerë e më të rëndësishëm në shoqërinë njerëzore.
2.
Nesër, më datë 14 shtator 2024 është Nata e Mevludit – Datëlindja e Muhamedit a.s. dhe këtë datë e shënojnë e gjithë bota Islame.
Në ditën e lindjes, u shndrit gjithësia nga nuri i tij, u gëzuan të gjithë, me përjashtim të shejtanit.
3.
Le t’i sjellim së paku tri veçori, nga shumë sosh, përse duhet shënuar Mevludin:
E para: Vlera e misionit dhe ndarja e epokave.
Me lindjen e Pejgamberit a.s. bota ndryshoi. Gjersa njerëzit, po thuajse e kishin humbur aftësinë për ta dalluar të mirën nga e keqja dhe ansjelltas, në anën tjetër, Islami e solli imazhin origjinal të asaj që është vlerë.
E dyta: Vlera e personalitetit.
Shumë njerëz kanë lënë gjurmë në histori, por personaliteti i tyre lë për të dëshiruar.
Në këtë aspect, Pejgamberi a.s. ishte shembull unik, i pastër nga dobësitë njerëzore. Allahu bëri bé në jetën e tij, e kjo tregon se i Lartëmadhërishmi e ka dalluar, si nga aspekti i pastërtisë si nga aspekti i vlerësimit.
E treta: U dërgua Pejgamber për të gjitha botërat.
Pas Muhamedit a.s. nuk do të ketë pejgamber tjetër. Mevludin duhet ta shënojnë edhe jobesimtarët, bile akoma më shumë, sepse panë hajr prej tij.
Siç dihet, në të kaluarën, Allahu ka dënuar popuj me zhdukje, i ka çitur fare, qoftë me shafitje në tokë, përmbytje, apo sëmundje të ndryshme.
Mirëpo, për hatër të Pejgamberit a.s., Zoti e ka pezulluar dënimin e popujve me zhdukje të tërësishme (el-helak), kurse e ka lënë në fuqi vetëm dënimin e rëndë (el-adhabush-shedid).
Urime Mevludi – Datëlindja e Muhamedit a.s.!
Orhan Bislimaj
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
13 shtator 2024