Emri i Zotit…!

Dikush kur bën bé, ‘pasha emrin e Zotit’, ai e ka prej loçkës së shpirtit. Lirisht, mos dysho në sinqeritetin e tij.
Por, në anën tjetër, ka të atillë, që betohen në emrin e Zotit, bash atëherë kur gënjejnë.

Emri i Zotit rrezaton sinqeritet, ndershmëri e siguri te njeriu, ashtu sikurse prezenca e prindërve në sytë e fëmisë. Krejt problemi është te vetë njeriu, si e përjeton Zotin!

Interesant, ata që e marrin emrin e Zotit hajgare edhe personaliteti i tyre është i tillë. Dijetarët thonë, ajo ndërgjegje që nuk ka Zot, është sikur gjykata pa gjykatës. Vepron pa kontroll e pa principe.

Allahu, në Kur’an, i cilëson si krijesë e keqe, ata që tallen me Allahun. E, në anën tjetër i vlerëson lartë besimtarët e vërtetë, si njerzë me vlera, plotë energji, plotë shpresë, të besueshëm, të dashur, të shoqërueshëm, modestë, me karakter të fuqishëm, të ndërgjegjshëm, të respektueshëm, bamirës, etj.

Bile, në një ajet, pikërisht besimin në Zotin, e cilëson si arsenal / fuqi, që i bën besimtarët më trima se jobesimtarët. Sepse, jobesimtarët veprat e tyre i lidhin me njerëzit, ndërsa besimtarët i lidhin me Zotin.
E idealet në emër të Zotit janë të pakrahasueshme. Andaj, Allahu thotë: “…e ju shpresoni nga All-llahu çka ata nuk shpresojnë…” (Kur’ani, En-Nisa, 104).

 

Dr. Orhan Bislimaj

Prizren, 11 Prill 2020

(Nga karantina, #Covid-19)

 

P.S.
Në foto, me haxhi nënën time, në fsh. Kobi i vjetër, Prizren. Në vitin 1965, erdhi nuse, në këtë vendbanim, në kullën e Batjar kobit. Sot, e vizitoi pas 46 viteve. Kujtime të paharruara. Shyqyr, tash rruga e mirë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *