1.
Edhe pse ishte prej arabëve, megjithatë Muhamedi a.s. është i gjithë njerëzimit, në mënyrë të barabartë.
Ai ishte një diell që depërtoi në secilin kontinent të botës. Veçse, rrezja e diellit nuk e ndriçon atë që fshihet në labirinthet e thella të guvave, por atë që e di se pa ngrohjen e tij nuk ka jetë.
Për këtë arsye, prej Pejgamberit të Zotit përfitojnë vetëm ata që shprehin interesim për të, njësoj si studenti që e kërkon dijen, me përkushtim, zellshmëri e dashuri.
2.
Muhamedi a.s. ka thënë:
“Shembulli i udhëzimit dhe diturisë me të cilat më ka dërguar Allahu, përngjason me shiun që bie në tokë.
Një pjesë e tokës është e mirë, kështu që e pranon ujin, e mban ujin, pastaj prej saj mbin shumë gjelbërim dhe bar i njomë, e Allahu u bën dobi njerëzve me të, pasiqë e përdorin atë për të pirë, për ujitje për bujqësi.
Ndërsa, një pjesë tjetër e tokës është shterpë që as nuk e mban ujin e as nuk bën bimë.
(Muhamedi a.s. vazhdon duke thënë) I tillë është shembulli i atij që e kupton fenë e Zotit dhe përfiton nga ajo që më ka dërguar Allahu, pra mëson dhe punon sipas saj; dhe shembulli i atij që fare nuk interesohet dhe as nuk e pranon udhëzimin me të cilin më ka dërguar Allahu.”
3.
Është e habitshme, se si njerëzit i pranojnë këshillat e filozofëve, studiuesve e shkencëtarëve, kushdo qofshin ata, paçka se ata kanë mundur ta kenë një jetë për ibret, e në anën tjetër, nuk i pranojnë këshillat e Muhamedit a.s. që çdo fjalë e kishte nga thesari i Zotit.
Një gazetar, me ironi e sarkazëm i tha mendimtarit të madh turk Erbakan Hoxhës: Çfarë lloj magneti është ky i sionizmit që po na tërheq nga larg, e magneti juaj (kauza Islame) nuk po na tërheq edhe pse jemi kaq afër.
Necmettin Erbakan (1926 – 2011), Allahu e mëshiroftë me xhennet, ia ktheu me një përgjigje epike e domethënëse: “Magneti ynë nuk i tërheq dërrasat!”
Fatkeqësisht, në raport me Muhamedin a.s., shumë zemra nga mesi ynë janë bërë si dërrasa…!
Orhan Bislimaj
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
27 shtator 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *