1.
Shumë njerzë i kritikojnë veprimet e të tjerëve, por asnjëherë nuk iu kthehen veprimeve të veta. Të tillëve, Allahu u drejtohet: “A po i urdhëroni njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni?…” (El-Bekare, 44)
Vetëkritika i mundëson njeriut që ta përmirësojë vetveten. Për shembull, nxënësi dembel e kupton se mospuna është anë negative e tij, ose mësuesi e kupton se neglizhenca në mësimdhënie i lë nxënësit të prapambetur.
Njësoj është edhe me profesionet e tjera, e mos të flasim për ata që kanë përgjegjësi të larta udhëheqëse në nivel të shoqërisë.
2.
Fundja, vetë feja e ka këtë rol. Nuk mjafton vetëm përvetësimi i vetive të mira, por edhe evitimi i shprehive të ligave. Nëpërmjet imanit të sinqertë si arbitër, njeriu arrinë ta çortojë vetveten nëpërmjet vetvetes për akëcilin qëndrim. Natyrisht edhe ta komplimentojë sipas nevojës.
Shembull ideal i kësaj vetëkritike është sahabiu i Pejgamberit a.s., Ebu Lubabe (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të).
Me një rast, në kuadër të luftës së ‘Hendekut’, viti 627, ai gabimisht shpalosi një sekret të Muhamedit a.s. te fisi hebre Beni Kurejdha në Medinë, që e kishin thyer marrëveshjen e paqes.
Ebu Lubabe e kuptoi gabimin dhe shumë u pendua saqë e ndëshkoi vetveten, duke u vetëlidhur për një shtyllë në xhaminë e Pejgamberit a.s. në Medinë. Ashtu qëndroi për disa ditë, pa bukë e pa ujë, gjersa vetë Pejgamberi a.s. e liroi.
Kjo shtyllë e xhamisë, e mban emrin e tij edhe sot.
Për rastin e tij, zbriti ajeti: “O ju që besuat, mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin (Muhamedin a.s.), e ashtu të tradhtoni amanetet tuaja, derisa e dini sa e keqe është kjo.” (El-Enfal, 27).
3.
Ky ajet iu drejtua të gjithë myslimanëve, deri në Kijamet.
Shembulli i Ebu Lubabës tregon se shitja e interesit të muslimanëve, apo më mirë të themi animi kah interesi i armikut, është tradhëti e keqe me vulë prej Allahut.
Pejgamberi a.s. e ka urrejtur tepër tradhëtinë, gjersa ka bërë lutjen:
“O Zot im, kërkoj mbrojtje te Ti nga uria, se vërtet është mjerim, si dhe nga tradhëtia, sa keq është të jesh brenda saj!”
Prandaj, muslimanët e urrejnë tradhëtinë, në çfarëdo relacioni qoftë ajo…!