Allahu në Kur’an ka folur për shumë aspekte, por premtim ka dhënë vetëm për disa çështje. Përmbushja e këtyre premtimeve është fare e lehtë dhe njerëzit duhet të garojnë, sepse vlera e tyre është e madhe:
1.
Premtimi i parë gjendet në ajetin e Kur’anit, ku Allahu thotë: “Nëse më falënderoni Mua, Unë do t’ua shtoj mirësitë, gjithësesi.” (Ibrahim, 7).
Allahu e urren tepër shumë mosmirënjohësin, edhe njerëzit e urrejnë gjithashtu, po qoftë në pyetje edhe evladi.
Logjikisht, nëse e falënderon dikë që të ka bërë mirë, në fakt e keni lënë derën të hapur edhe për herave të tjera, në të kundërtën ai i bie pishman dhe fillon me urrejtje ndaj teje.
2.
Premtimi i dytë është në ajetin, ku Allahu thotë: “Më përkujtoni Mua, e Unë ju përkujtoj juve” (El-Bekare, 152)
Nëse dikush na çon një selam, neve na vije mirë, apo!? Paramendo nëse Allahu na përkujton, kjo është gjëja më me vlerë, sepse përkthehet me mirësi të mëdha për njeriun.
Mënyra më e mirë përkujtimit të Allahut është namazi. Dijetarët thonë se gjatë namazit, Allahu e kujton robin e Vet, e ky është ajo që quhet “dhikrullahi ekber’ – përkujtimi madhështor i Allahut
3.
Premtimi i tretë është në ajetin e radhës, ku Allahu thotë: “Më kërkoni Mua, e Unë ju përgjigjem”. (Gafir, 60).
Çdo gjë në këtë jetë është në dorë të Allahut. Para se të presim mirësi prej njerëzve, duhet t’i drejtohemi Allahut me lutje.
Allahu e dëgjon çdo pëshpërimë, çdo klithje, çdo ankesë e çdo kërkesë. Ai është më afër njeriut se sa vetë njeriu ndaj vetvetes.
4.
Premtimi i katër është në ajetin, ku Allahu thotë: “Allahu nuk do t’i dënojë, gjersa ata po kërkojnë falje (istigfar).” (El-Enfal, 33)
Istigfari – kërkimfalja tek Allahu është shumë e dashur, sepse njeriu tregon distancim me të keqen, tregon përgjegjësi para Allahut, si dhe tregon interesim për përmirësim drejt të mirës, apo më të mirës.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Pasha Allahun, unë i kërkoj falje Allahut dhe kthehem tek Ai me pendim më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë.”