Ngritja e duarve kah qielli…!
Pejgamberët, kur kanë bërë lutje, i kanë drejtuar shuplakat e duarve drejt qiellit. Muhamedi a.s., në luftën e Bedrit, i ka ngritur aq lartë, sa i janë pa bardhësitë e nën sqetullave.
Por, ku është urtësia e ngritjes së duarve kah qielli!?
Ngase, ne e dijmë se lutja mund të bëhet edhe pa i ngritur fare, sikurse mund të bëhet me zë, po edhe në heshtje.
Këtë e sqaron, më së miri imam Ebu Hanife (r.h.), kur thotë: “Njeriu i lutet Allahut kah drejtimi më i lartë (qielli), e jo kah ultësia, sepse ultësia nuk është prej tipareve, që i përket Krijuesit dhe Njëshmërisë së Tij kundrejt një gjëje.”
Pra, drejtimi kah qielli është edhe aspekt etik i lutjes në raport me Zotin, ashtu që konfirmon Lartësinë, Madhërinë, Hyjninë dhe Vetëmjaftueshmërinë e Krijuesit.
Sikundër kësaj, nuk ka për qëllim, përcaktimin e vendit apo anës ndaj Allahut, sepse i Lartmadhërishmi ka ekzistuar para vendit, para tokës, para qiejve, para gjithësisë e para çdo gjëje.
Allahu nuk kufizohet në asnjë anë. Se, tek e fundit, toka është e rrumbullakët dhe noton në gjithësi, nuk e dijmë kah jemi drejtuar saktë.
(Ishte interesant një insert satirik te grupi ‘stupcat’, kur njëri prej tyre i tha shokut të vet, që po hapte një vorr shumë hëzli, ‘boll o njeri, se po dalish n’Angli!’ Heheh).
Përveç kësaj, dijetarët përmendin edhe disa pika:
1) Tegon përultësinë e njeriut kundrejt Allahut. Edhe në praktikën njeëzore, dhuruesi ka epërsi kundrejt atij që kërkon. “Dora e lartë është më e mirë se sa dora e ultë” (Hadith). Po ashtu, vetë akti i lypjes implikon zgjatjen e dorës, siç veprojnë lypsarët;
2) Qielli është kible e lutjes (duas), sikurse që është, p.sh. të drejtuarit kah Qabja gjatë namazit;
3) Depot e furnizimit për krijesat, vijnë prej qiellit (shih: Kur’ani, Edh-Dharijat:22). E, njeriu, instinktivisht drejtohet andej kah e sheh burimin e jetesës, siç kthehet andej kah e dëgjon zërin;
4) Melaiket e furnizimit (rrizkut/nafakës), zbresin prej qiellit, prandaj, njeriu, përsëri instinktivisht, drejtohet kah ana, ku shpreson arritjen e synimeve të tij!
Krejt në fund, ngritja e duarve ka qenë traditë e pejgamberëve (sunnet), siç ka qenë, p.sh. edhe abdesti.
Zot i Madh, mos na kthe duart bosh, në lutjet tona, na largo pandeminë Covid-19…!
Dr. Orhan Bislimaj
Prizren, 12 Prill 2020
(Nga karantina, #Covid-19)