Çka kërkoi Musa a.s. prej Allahut?
(Dersi i xhumasë)
1.
Moti kam thënë, njeriu nuk duhet të shkojë nga kjo botë pa e kuptuar arsyen e ardhjes.
Këtu ngjizen dhe përthyhen ëndrrat në poligonin e jetës.
Dega e parë e imanit është fjala ‘La ilahe il-lall-Llah’.
Në përkthim i bie: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut”, por në thelb ajo nënkupton besimin dhe adhurimin e çiltër ndaj Allahut.
2.
Puna e parë që e ka pasur secili pejgamber, ka qenë thirrja e njerëzve në fjalën ‘La ilahe il-lall-Llah’.
Duket e thjeshtë dhe e shkurtër, por asgjë nuk ka më të rëndësishme tek Allahu se sa kjo fjalë.
Muhamedi a.s. na ka treguar se me këtë fjalë hyjmë në Islam dhe me këtë fjalë do të hyjmë në xhennet, inshallah.
3.
Muhamedi a.s. ka treguar një moment kur Musai i drejtohet Allahut:
“O Zot, më mëso diçka me anë të së cilës do të lutem dhe do të përmend.
Allahu i tha: Thuaj: ‘La ilahe il-lall-Llah’!
Musai a.s. i tha: Zoti im, këtë fjalë e thonë të gjithë robët e Tu!?
Allahu i tha përsëri: Thuaj: ‘La ilahe il-lall-Llah’.
Musai a.s e tha fjalën La ilahe il-laLlah, por tha unë dua që t’më veçosh me diçka që nuk e kanë thënë robët e Tu.
Atëherë Allahu i tha: O Musa, sikur të shtatë qiejt dhe ç’ka në to përveç Meje dhe shtatë tokat të vendosen në njërën anë të peshores, dhe fjala ‘La ilahe il-lall-Llah’ në anën tjetër të saj, kjo fjalë do të peshonte më shumë.” (Hadith)
4.
Njeriut i mbetet ka kuptojë, ta përjetojë dhe ta deshifrojë domethënien e kësaj fjale madhështore.
Shtrohet pyetja, çfarë pozite zë kjo fjalë në zemrën tënde?
Këtu i kemi dy çështje:
– A e ke thënë njëherë në jetën tënde fjalën ‘La ilahe il-lall-Llah’ me gjithë zemër; dhe
– Sa herë e përmendish gjatë ditës këtë fjalë?
Në fakt, ky është një sondazh për vetveten, e që tregon se sa je i bindur përnjëmend në Krijuesin e gjithësisë dhe sa je i lidhur me Të:
Mbaje mend, aq sa ka rëndësi për ty kjo fjalë, po për aq ka vlerë jeta jote tek Allahu…!
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
1 nëntor 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *