Para ca kohësh dikush më pyeti, se në çfarë mënyre ka folur Allahu me pejgamberët, qysh kanë komunikuar, a kanë shkuar pejgamberët në qiell, apo Allahu e ka lëshuar ndonjë zë, qysh?
Fakti se Krijuesi është i pa arritshëm nga mundësitë njerëzore, kjo pyetje sikur ka mbetur në kurreshtjen e njerëzve gjithmonë.
Këtë dilemë, Allahu e ka sqaruar në Kur’an:
“Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur Allahu ndryshe, veçse me anën e frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i larti, më i urti.” (Esh-Shura, 51)
Në këtë ajet, Allahu i ka përcaktuar tri mënyrat:
-Mënyra e parë: Allahu e ka inspiruar apo frymëzuar direkt pejgamberin dhe kjo ka qenë praktikë standarde e shpalljeve.
Për shembull, në këtë mënyrë Allahu e ka frymëzuar Ibrahimin a.s. për ta bërë kurban djalin e tij, hazreti Ismailin a.s.
-Mënyra e dytë: Allahu ka folur direkt me pejgamberin, veçse pas perdes, ashtu që pejgamberi e ka dëgjuar bisedën, por nuk e ka parë Allahun.
Në këtë mënyrë Allahu i ka folur Musait a.s.: “E Musait i foli Allahu me fjalë.” (En-Nisa, 164)
-Mënyra e tretë: Allahu ka komunikuar me pejgamberin përmes ndërmjetësuesit të shpalljeve e që ishte meleku Xhibril. Meleku Xhibril, u ka ardhur në formën e tij origjinale, por u ka ardhur edhe i personifikuar në formë njeriu.
Në një rast, meleku i ka ardhur Pejgamberit a.s. në formë të njeriut, është ulur në gjunjë fare pranë tij, i ka vendosur dy duartë mbi kofsha dhe ka filluar t’i bëjë pyetje për fenë, që njihet si ‘hadithi i Xhibrilit’.
Pasi e mbaroi bisedën dhe u largua, atëherë Pejgamberi a.s. u tregoi shokëve të tij se ai person ishte meleku Xhibril.
Kur u pyet se si i vinte shpallja, Muhamedi a.s. kishte thënë “ndonjëherë më vjen në formë të ziles (صَلْصَلَةِ الجَرَسِ) dhe kjo mënyrë është shumë e vështirë për mua, e ndonjëherë më vjen meleku i personifikuar.”
Bashkëshortja e tij, Aijsheja, tregon se në një ditë të ftohtë e kam pa kur i ka ardhur shpallja Pejgamberit a.s., ndërsa ishte mbuluar nga ndjersët…!
10 nëntor 2024