1.
Për pejgamberët dihet, por shtrohet pyetja a ka biseduar Allahu me ndonjë person tjetër, jashtë kategorisë së pejgamberëve.

Edhe për të gjallë të Muhamedit a.s. edhe pas vdekjes së tij, edhe në kohën tonë, ka pasur raste kur njerëzit kanë pretenduar se janë pejgamberë!?

E vërteta është se Allahu e ka mbyllur përgjithmonë Shpalljen me Kur’anin dhe pejgamberinë me Muhamedin a.s., andaj kushdo që pretendon diçka të tillë ai është gënjeshtar i madh.

Por, në anën tjetër është po ashtu e vërtetë se Allahu komunikon me krijesat për nga aspekti i inspirimit, në linjën e krijimit, ekuilibrit dhe mbizotërimit të gjithësisë.

2.
Në Kur’an Allahu e ka përmendur rastin kur e ka inspiruar nënën e Musait për t’i dhënë gji Musait si foshnjë, kur ishte në pyetje shpëtimi prej Faraonit të Egjiptit (El-Kasas, 7), e dihet se ajo nuk ishte pejgambere.

Edhe për bletën, Allahu ka thënë se e inspiron. (En-Nahl, 68)

Ndonjë mendim që na vjen në momente kyçe apo të caktuara, njeriu nuk e di, por mbase mund të jetë inspirim prej Allahut (tevfik), pavarësisht se ne nuk mund ta themi me zotim.
Prandaj, lidhja me Allahun, përmes përkujtimit të Tij, është e kërkuar vazhdimisht.

Nga këtu rrjedh ajo fjala që njerëzit e thonë: ‘Ma dha Allahu mendjen e mirë’ dhe kjo ka mbështetje në Kur’an dhe hadithe të Muhamedit a.s.

3.
Në Kur’an dhe hadithe është vërtetuar se Allahu u jep një ‘nur’ robve të Tij të devotshëm, që i shohin ngjarjet me një zgjuarësi të hollë.
Dhe, ky nur është efektiv për aq sa është intensiteti i fuqisë së imanit.

Allahu i Madh, duke e vleresuar besimtarin kundrejt kafirit, për njeriun besimtar thotë se ka një NUR ndër njerëz: “Ne e ngjallëm (e nxjerrëm nga kufri) dhe i dhamë dritë (nur imani), me të cilën ecën mes njerëzve…” (El-En’am, 122).

Ajete të tilla ka edhe të tjera në Kur’an: El-Bekare, 282; El-Enfal, 29; Muhamed, 30; El-Hixhr, 75.

Në këtë kuptim, Muhamedi a.s. ka thënë:
“Frikësohuni nga zgjuarësia e hollë e besimtarit të vërtetë, sepse ai shikon (i sheh ngjarjet) me dritën që i dhuron Allahu…!”

Orhan Bislimaj
Xhamia e Bajraklisë (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
(Nga Dersi i Xhumasë, 15 nëntor 2024)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *