Ezani dhe çortimi i Pejgamberit (a.s.)…!
Pa dyshim, nderimi i ezanit është prej veprave të mira. E, kur kjo ndodhë prej autoriteteve shtetërore, bëhet mjaft kuptimplote.
Nuk më erdhi hiq mirë me disa, që e kritikuan këtë veprim. Shumë keq!
Mbi të gjitha, fetarisht nuk është në rregull ta kritikosh dikë që po e nderon ezanin! E udhës është t’i motivojmë, që ta bëjnë një gjest të tillë, të gjithë, pa dallim. Allahu ka thënë: “Bëni gara në vepra të mira…!” (shih: El-Maide, 48).
Nderimi i ezanit nuk është pronë e askujt. Ai që e nderon, nderohet! Kjo nuk i ka bërë vaki vetëm këtij kryeministri apo ministri, por i ka bërë vaki edhe plotë personaliteteve të tjera, kryetar partish, komunash, e në të ardhmen do t’u bajë vaki edhe të tjerëve.
Ne nuk e dijmë qëllimin e tyre, sepse kjo është shume variabël. Pavarësisht të gjithave, nuk na jep të drejtë ta sfidojmë e përgënjeshtrojmë veprimin e mirë e të lavdueshëm. Aq më keq, t’i cytim për mosrespektim!? E, çka do të themi nëse nuk e nderojnë!?
Tek e fundit, në çdo vepër të mirë, politikanët e jopolitikanët kanë përfitime në imazh, bile ezani është rast i rrallë për përfitime!? Inshallah vijnë edhe në namaz!
Nuk bën, është gabim! Aq sa e kanë për Allah, për aq ia shohin hajrin! Kandari i Zotit është i saktë!
Pastaj, ku ta dijmë, se puna e ezanit është interesante, me qillu mezini i mirë, me zë të mirë, jo që ia ndal fjalët, por ia dridh zemrën edhe jomuslimanëve. Është alamet i Zotit në tokë!
Aferim për të gjithë ata që e nderojnë ezanin, kushdo qoftë ai, po qoftë edhe jomusliman apo i huaj!
Pejgamberi a.s., e ka çortuar rëndë një shokë të tij, që e kishte mbytur një pabesimtar, pasi e kishte thënë shehadetin “la ilahe il-lallah – Muhamedun Resulullah”. Edhe pse ishte rrethanë lufte, megjithatë ndalohej mbytja e atij që e deklaron ‘shehadetin’, meqë konsiderohej se ka hyrë në Islam, pra me muslimanët. Mbytësi tha: “O i Dërguari i Zotit, ai e tha prej frikës, pasiqë s’kishte kah t’ia mbante. Me këtë rast, Pejgamberi a.s. i ka folur shumë ashpër: “A mos ia hape zemrën dhe e paje se me çfarë nijeti e kishte thënë!?”
Mbytësi i ra pishmanit dhe thotë, më mirë deri atëherë të mos ishte bërë musliman, aq shumë ndjeu keqardhje!
Veprimet e mira duhet t’i përkrahim, t’i motivojmë e jo t’i persekutojmë.
Dr. Orhan Bislimaj
Prizren, 14 Prill 2020
(Nga karantina, #Covid-19)