“Pasha Zotin, ti po e din se unë po e dij që ti vërtet po rrejsh…!”
(Dersi i xhumasë)
1.
Në kohën e Muhamedit a.s. (shek.VII-të) pati dalur në skenë një Musejleme Kedh-dhabi, që thoshte se është pejgamber dhe po i vjen edhe atij një Kur’an prej Zotit, njësoj siç po i vjen Muhamedit a.s.
Edhe filloi me trillime, thoshte me ka ardh surja e ‘bretkoskës’, surja e ‘delës’, etj.
Një ditë Musejlemja e takoi Amrin (bin As) edhe po e pyet, ‘atij shokut tënd, Muhamedit, a mos i ka ardhur ndonjë sure këto ditë?’.
Amri i tha po i ka ardhur një sure shumë me vlerë.
(Në këtë kohë edhe Amri akoma nuk ishte musliman, por kishte muhabet me Muhamedin a.s.)
Ha, cila sure?
Amri i tha surja ‘El-Asr’ (Koha), edhe ia lexoi përmendësh.
Muselemja në shenjë revanshimi, tha edhe mua me ka ardhur një sure, edhe ia nisi palidhje sa me thënë që po thotë diçka: “O shqarth (një kafshë e imët gjitare), nuk je tjetër veçse dy veshë e një gjoks, e tjerat nuk janë gjë” (يَا وَبْرُ إِنَّمَا أَنْتَ أُذُنَانِ وَصَدْرٌ، وَسَائِرُكَ حَقْرٌ نَقْر).
Edhe e pyeti Amrin, si po të duket?
Amri ia ktheu: “Pasha Zotin, ti po e din se unë po e dij që ti vërtet po rrejsh” (وَاللَّهِ إِنَّكَ لَتَعْلَمُ أَنِّي أَعْلَمُ أَنَّكَ لَتَكْذِبُ).
Domethënë, edhe pse Amri ishte akoma jo musliman, e dinte se Kur’ani është Kur’an, kurse trillimet e Musejlemes janë gënjeshtra.
2.
Fatkeqësisht, akoma ka prej muslimanëve që mendojnë se Kur’ani është një libër i rëndomtë, është i arabëve, nuk na duhet neve, etj.!!!
Për më keq mendojnë se Kur’ani e lë njeriun të prapambetur, e Allahu në Kur’an i ka thënë Muhamedit a.s.:
“Ne ta shpallëm ty Kur’anin që me urdhërin e Zotit t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirës në dritë…” (Surja Ibrahim:1)
Këta njerëz akoma nuk po e dijnë se Kur’ani është Fjalë e Allahut… Nëse veç pak e kuptojnë si të tillë, kam bindjen u çilen sytë.
Ani kur po thojnë ‘e kam lexuar Kur’anin’ e në anën tjetër folin terr e zi për Kur’anin. Jo vallahi bash nuk e keni lexu, se me pas lexu kishe me folë ma mbarë…
3.
Paramendo, xhindët fshehurazi kanë shkuar për ta dëgjuar Pejgamberin a.s., teksa lexonte Kur’an, për ta parë se çka është në pyetje me këtë Kur’an që njerëzit po i besojnë aq shumë.
Kur u kthyen te t’vetët thanë: “Pasha Zotin, e kemi dëgjuar një Kur’an që po të mahnitke…” (Surja El-Xhinn, 1-2), edhe janë bërë menjëherë musliman.
4.
Në fund e kumtuam apelin e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, ku e dënon sulmin terrorist në kanalin e Iber – Lepencit më datë 29 nëntor 2024, si dhe i bën thirrje popullit për unitet dhe bashkëpunim me organet e sigurisë së shtetit tonë…!
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
6 dhjetor 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *