1.
Në një hadith ka thënë Pejgamberi a.s.: “E para gjë që e ka krijuar Allahu është lapsi, e të cilit i ka dhënë urdhër: Shkruaj! Lapsi tha: Çka të shkruaj? Allahu i thotë: Shkruaji detajet e çdo gjëje që do të ekzistojë / ndodhë deri në Kijamet!”
E, libri në të cilin ka shkuar quhet ‘Levhi Mahfudhi’, ku janë të evidentuar detajet dhe sebepet për çdo gjë, qoftë e mirë apo e keqe, se si do të ndodhin dhe kur do të ndodhin, deri në Kijamet.
Aty është evidentuar edhe fati ynë, jeta jonë, rrizku, momenti i vdekjes, etj. etj.
Në gjuhën e Kur’anit kësaj i thuhet ‘kader’ (evidentimi i gjërave në pafillimësi) dhe ‘kada’ (krijimi i tyre sipas atij evidentimi).
2.
Dijetarët thonë se ‘kaderi’ përngjason me pasqyrën që e tregon dukjen tënde, por nuk ndikon në dukjen tënde.
Një sahab e kishte pyetur Pejgamberin a.s.: “O i Dërguari i Allahut, ne i lexojmë Kur’an vetvetes (rukje) dhe kjo na ndihmon të shërohemi, pastaj përdorim ilaç dhe kurohemi, bëjmë dua dhe shërohemi, çfarë mendoni, a mos ndoshta këto e ndryshojnë kaderin e Allahut. Pejgamberi a.s. thotë: “Edhe ato janë prej kaderit të Allahut.”
Edhe kur angazhohet për të mirën, po edhe kur shmanget prej të keqës, njeriu është duke vepruar në kuadër të kaderit.
3.
Por, a mund të ndryshohet kaderi?
Në një hadith, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kaderin nuk e ndryshon asgjë përveç duas (lutjes), dhe as jetën e njeriut nuk e zgjat asgjë përveç bamirësisë (لا يَرُدُّ القَدَرَ إلَّا الدُّعاءُ، ولا يَزيدُ في العُمُرِ إلَّا البِرُّ).” (hadith hasen).
(Patjetër, ky hadith përmban domethënie specifike, e që e kam sqaruar në një shkrim më të gjatë “Exheli dhe zgjatja e jetës” (shih: http://www.orhanbislimaj.com/ob/?p=5 )
Të gjithë pejgamberët e Zotit kanë bërë dua tek Allahu, siç ka ardhur në Kur’an dhe Allahu ua ka larguar sprovat.
Pejgamberi a.s. ka bërë këtë lutje: “Më ruaj nga e keqja që e ke shkruar.” (و قنيي شر ما قضيت).
Imam Gazaliu thotë: “Lutja – duaja është shkak për largimin e sprovave dhe fitimin e mëshirës së Allahut, ashtu sikurse uji që është shkak për mbirjen e bimëve.”
E kur është fjala te bamirësia / sadaka, populli ynë kaherë e ka përdorë frazën “Sadaka e ka mbrojtur’, për dikë që ka shpëtuar në ndonjë aksident…!
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
13 dhjetor 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *