1.
Po ikën edhe viti 2024, kjo ishte xhumaja e fundit.
Shyqyr Zotit për çdo gjë deri në këtë dakik.
Por, le ta dijmë se ndërrimi i motmoteve nënkupton edhe më pak ditë në këtë dunja!
Sa e sa njerëz kanë qenë, e sot nuk janë…!
Allahu i Madh i fut ditët në perin e dynjasë një nga një, po ashtu edhe vitet, gjersa të vijë ajo Ditë kur do t’i palojë qiejt, siç ka thënë në Kur’an:
(O Muhamed përkujtoja atyre) Atë ditë kur Ne e palojmë qiellin sikurse palimi i fletëve në libër.” (Sureja El-Enbija, 104).
E, në këtë ecuri të pandalshme, çdo njeri e ripërkujton vetveten në retrospektivën e jetës nga vegjëlia deri sot; e ripërkujton bashkë me përplasjet nëpër labirinthet e dynjasë.
2.
Në Kur’an, Allahu e sjell brengën e idhujtarëve kundrejt faktorit kohë.
Sado në kulmin e fuqisë së tyre, qoftë fizike apo të pushtetit, megjithatë përsëri në mendjen e tyre qëndronte kërbaçi i kohës/vdekjes.
“Ata edhe thanë, nuk ka tjetër, vetëm se kjo jetë jona në këtë botë, po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër pos kohës…” (Sureja El-Xhathijeh, 24)
Këtu fillojnë dhe mbarojnë ëndërrat për secilin që nuk beson në ahiret.
E për besimtarët kjo dynja nuk është fundi, por është mesi i rrugës, andaj kapërcimin e viteve e shohin përparim drejt cakut final, në ëndrrën e ahiretit.
3.
Edhe institucionet, edhe bizneset, edhe ekonomitë familjare i bëjnë bilancet në çdo fundvit.
Por, kush mund të quhet fitues i vërtetë në bilancin vjetor.
Te njerëzit, fitues mbase mund të quhet ai që ka grumbulluar pare më shumë, por në kandarin e Zotit çështja ndryshon.
-Fitues quhet ai që punoi shumë, dhe gjithmonë me hallall;
-Fitues quhet ai që punoi shumë, por kurrë nuk e la falënderimin ndaj Allahut;
-Fitues është ai që punoi shumë, por kurrë nuk e ka lënë namazin pa e falë;
-Fitues quhet ai që fitoi shumë pare, por kurrë nuk e ndali dorën nga zekati dhe sadaka;
-Fitues quhet ai që punoi shumë, duke e synuar kënaqësinë e Allahut në çdo gjë;
-Fitues quhet ai që e respektoi punëtorin dhe nuk e hëngëri hakun e punëtorit;
-Fitues quhet ai që mbajti drejtësi në punë dhe që ishte i përgjegjshëm;
-Etj.
Ky është ai fituesi i vërtetë, e jo ai që fitoi me harame dhe nën hakin e të tjerëve – ai është i falimentuari.
Allahu thotë: “Ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten, e ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.” (Sureja Esh-Shemsu, 9-10).