1.
Vërtet, kurbetçarët po na hijeshojnë Kosovën, po na mbushin me gëzim, e po na japin gjallëri.
Me vjen keq, nëse nuk po ua ofrojmë ngrohtësinë e duhur.
E di, mungesa e energjisë elektrike ua ka bërë bajat dhe pushimet.
Pak po gabojmë kur po i pyesim ‘sa keni me nejt’.
Ata, hala pa u rehatu në shtëpi, ne menjëherë me këtë pyetje.
Qëllova diku në një ndej kur një kurbetçar ia ktheu ‘ahiii me këtë pyetje’, vallah jemi ne zor, këtu na pyesin ‘sa keni me nejt’, e kur shkojmë në kurbet ata tjerët na pyesin “sa nejtët’…
(Nejse, nuk do t’i pyesim herave të tjera, ama edhe ata vetë duhet me tregu, se kur po marrim vesh veç kanë shku’)
2.
Koha po kalon me nxitim. Me këtë ritëm do të shkojë edhe ky vit, 2025.
Në fund, kalon edhe ymri, e njerëzit mbeten pa fjalë.
Allahu i Madh, në Ditën e Gjykimit (ahiret), do t’ua bëjë njerëzve pyetjen, siç Ai thotë në Kur’an: “E, sa vjet keni kaluar në tokë? Ata thonë, kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës.” (Sureja El-Muminun, 112-113)
Nëse e marrim për nga aspekti i kohës së shkurtër, siç është dynjaja, këtë përgjigje do ta thonë të gjithë njerëzit, musliman e jo musliman, sepse edhe Allahu thotë “…Njëmend pak keni qëndruar!” (El-Muminun, 114)
Por, në këtë rast, sipas kontekstit kjo përgjigje është e jobesimtarëve.
Shtrohet pyetja, përse do të thonë “kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës”, a vërtetë kanë qëndruar kaq!?
Dijetarët spikasin dy arsye më kryesore:
a) Dënimi gjatë kohës në varreza, në njërën anë dhe brenga e madhe se çfarë dënimi po i pret në ahiret, i bën të trulluar, andaj e kanë humbur saktësinë në mbamendje, njësoj si i dehuri që e humb nga alkooli; dhe
b) Jobesimtarët do të thonë “kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës”, ngase atë ditë do të binden se jeta e tyre pa besim nuk paska pasë fare vlerë, andaj do t’u duket sikur kanë qëndruar vetëm një pjesë të ditës, pavarësisht se kanë mundur të jetojnë 100 vjet.
3.
Përtej vendit ku jetojmë, qoftë në atdheun tonë të dashur, apo në mërgatën e zorit, është jetike që jetën ta shpenzojmë ‘fi sebililah’ – në rrugë të Zotit, e në funksion të familjes, atdheut e kombit…!