Dr. Orhan Bislimaj

Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në kalanë e Prizrenit – (2)

1. Historiku i xhamisë së Kalasë së Prizrenit

Siç dihet, xhamia e kalasë ka qenë ekzistente për shumë shekuj me radhë në Kalanë e Prizrenit. Për këtë ekzistojnë dëshmi dhe pamje historike autentike, gjersa nuk kontestohen nga askush. Sa i përket vitit të ndërtimit, nuk ka të dhëna të sakta, por historiku i saj ndërlidhet me vendosjen e Perandorisë Osmane në trevën e Prizrenit, pas triumfit kundër forcave të Car Llazarit, në Gazimestan, në vitin 1389, e njohur si lufta e Kosovës. Pas këtij viti, përpjekjet e Perandorisë Osmane kanë qenë serioze për çlirimin e territoreve shqiptare nga pushtimi i egër i okupatorëve sllavë. Historiani i njohur, Noel Malkomi përmend se më 1454 Mehmeti II pati dërguar forca të mëdha ushtarake kundër sllavëve pushtues të territoreve shqiptare, gjersa pjesa më e madhe e Serbisë jugore dhe asaj të Mesme ishte dominuar në këtë vit. Në vitin 1455 mbarë territori i Kosovës do të vendoset nën administrimin osman, dhe më 21 qershor 1455, Perandoria Osmane vendoset edhe në Prizren.[1] Që në atë kohë, në Prizren e ndërtoi xhaminë e parë, që njihet si “Namazxhahu”, për nevojat e kryerjes së riteve fetare për të gjithë të interesuarit. Ka të dhëna se kjo xhami është ndërtuar në vitin 1410, veçse në vitin 1455, kjo xhami dihet sigurisht se ka ekzistuar.[2]

  

Foto -1: Xhamia e “Namazxhahut”, Prizren

Gjatë kësaj kohe, pra pas vitit 1455, forcat e Perandorisë, pasiqë vendosen në hapësirën e Kalasë së Prizrenit, e ndërtojnë edhe xhaminë, për nevojat e administratës, ushtrisë dhe qytetarëve të tjerë. Të këtij mendimi janë shumica e studiuesve, si dhe mbamendja kolektive historike e banorëve të Prizrenit, e transmetuar nga gjenerata në gjeneratë. Po ashtu, argument është edhe vetë diskursi ideologjik i Perandorisë Osmane. Do të ishte mjaft anakronike të besojmë se Perandoria Osmane e ka ndërtuar xhaminë disa shekuj pas akomodimit të saj në Prizren, dhe sidomos për dy arsye:

1) Në Kalanë e Prizrenit, është vendosur trupa e Perandorisë së asaj kohe, e dislokuar në trevën e Prizrenit (sektori politik dhe ushtarak) duke e parapëlqyer si një vend i sigurtë, për shkak të pozitës topografike të Kalasë, po edhe për shkak të pozitës gjeostrategjike të vetë Prizrenit. Jo rastësisht, Prizreni u bë pjesë e Provincës Osmane të Rumelisë dhe qyteti më i rëndësishëm dhe më i madh i administratës osmane në Kosovë. Shquhej për qytet tregtar me prosperitet, duke përfituar nga pozita gjeografike dhe rrugëve tregtare në veri-jug dhe lindje-perëndim që lidheshim mirë me gjithë perandorinë Osmane.[3] Do të ishte e pakuptimtë që brenda saj, të vonohej ndërtimi, gjersa dihet se ata i kanë kushtuar rëndësi përpikshmërisë në namaz si pjesë e pandashme e momenteve ditore. Në këtë kontekst shpjegohet edhe ndërtimi i Namazxhahit, menjëherë pas dislokimit në Prizren; dhe

2) Kalaja ka qenë larg Namazxhahit si xhami e parë në Prizren. Nuk mund të mendohet që banorët e Kalasë, të shkojnë për faljen e namazit, sidomos të xhumasë deri te faltorja e Namazxhahut!?

Edhe poeti i njohur, Nuriu, në mbishkrimin e xhamisë së Kalasë që e shkroi vetë, e thekson se xhamia e Kalasë është ndërtuar në kohën e çlirimit të Prizrenit: “Në kohën e çlirimit (të Prizrenit), në brendinë e Kalasë, është ndërtuar xhami dhe vendadhurim”  (Hîn-i fetihde Kal`a içinde inşa olunmış cami’ ve ma`bed).[4]

Për këto arsye dhe të tjera, konsiderojmë se xhamia e Kalasë i përket viteve ’60-ta të shekullit XV, pasiqë është iracionale të mendohet se banorët e kalasë kanë qëndruar aty për kohë të gjatë pa xhami.

 

2. Rrënimi i xhamisë herën e parë (1689)

Në anën tjetër, xhamia, edhe pse i ka shërbyer qëllimit të vet, megjithatë ajo është përballur me rënie dhe ngritje. Në fund të shekullit XVII, xhamia e Kalasë i nënshtrohet rrënimit të parë. Siç dihet, Prizreni, në vitin 1689 invadohet nga ushtria austriake me aleatët e saj nën komandën e gjeneralit me prejardhje italiane Eneo Pikëlomini. Më datë 6 nëntor 1689, Pikëlomini ka arritur në Prizren, i ndihmuar edhe nga peshkopi Pjetër Bogdani, i cili i qe bashkëngjitur në Shkup.”[5] E, bashkë me ata, kishin arritur edhe disa mijëra vullnetarë, shqiptarë të krishterë dhe serbë. Bile, të krishterët e armatosur, në rrethinën e Prizrenit dhe Shqipërinë e Epërme asokohe ishin futur nëpër vendbanimet myslimane dhe ua kishin plaçkitur pasurinë.”[6] Invadimi austriak, edhe pse mjaft jetëshkurtër, megjithatë, ka qenë fatal për trashëgiminë e përgjithshme islame në Prizren dhe rrethinë përfshirë edhe xhaminë e Kalasë. Tahir efendiu, i cili, në vitin 1874 ishte Myfti i Prizrenit dhe myderriz në Medresenë “Mehmed Pasha”, në kronikën e tij të njohur, thotë se pabesimtarët, duke aluduar në ushtrinë invaduese, gjatë asaj kohe vranë shumicën e banorëve të Prizrenit dhe rrënuan shumë xhami.[7] Por, ç’e do që Pikëlomini befas infektohet nga murtaja dhe vdes më datë 9 nëntor 1689. Bile, ka të dhëna se është varrosur në oborrin e kishës në Prizren, e njohur si kisha e “Shën Premtës”[8] Menjëherë pas tij, nga e njëjta sëmundje, vdes edhe Pjetër Bogdani, që ishte infektuar gjatë përgatitjes së ceremonisë mortore të Pikëlomonit.

Qytetarët e Prizrenit, nëpërmjet mbamendjes kolektive, akoma i transmetojnë krimet e austriakëve. Ndërsa, shkatërrimi i xhamive, si një synim, tregon qartë pretendimet e tyre fetare. Jo rastësisht ata u mirëpritën dhe u ndihmuan nga të krishterët në krye me Pjetër Bogdanin – peshkop i asaj kohe. Në këtë kontekst, Noel Malcom citon se xhaminë e madhe të Prishtinës (Fatih – xhami), austriakët e kishin shndërruar në një kishë dhe ia kishin kushtuar të shenjtit jezuit, Fransis Ksavierit.[9]

Prandaj, Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, në një punim në bashkautorësi, duke vërtetuar faktin se xhamia e Kalasë së Prizrenit është shkatërruar gjatë periudhës së austriakëve, e thonë edhe këtë: “Ajo xhami qe rrënuar deri në themel, me siguri gjatë kohës së invadimit austriak në Prizren, kur pësuan të gjitha objektet e kulturës islame. Këtë xhami të rrënuar, Mahmud Pasha e kishte ndërtuar nga themeli.”[10] Pas kësaj, nuk mbetet asnjë dilemë, se xhamia e Kalasë, herën e parë është shkatërruar nga austriakët, gjersa këtë fakt e përmendin edhe studiues të tjerë.[11]

 

3. Rindërtimi i xhamisë (1828)

Për një kohë të gjatë, më se 140 vite, xhamia e kalasë kishte qëndruar e rrënuar. Me ardhjen në pushtet të familjes “Rrotlla” nga Prizreni, që qeverisi me Sanxhakun e Prizrenit më se 100 vjet (1747-1843)[12], edhe fati i xhamisë do të ndryshojë për të mirë. Sipas dokumenteve historike, Mahmud Pashë Rrotlla, në kala mbi themelet e xhamisë së rrënuar, më 1828 (1244 sipas hixhrit) e ndërtoi xhaminë[13], sipas dimenzioneve të mëparshme.  

Ish-myftiu i Prizrenit, Mehmet Tahir efendiu (v.1883) në kronikën e tij të famshme “Menakib”, që besohet se e ka shkruar në vitet 60’ta të shekullit XIX-të, apo afër 30 vite pas rindërtimit të xhamisë, thotë: “Mahmud Pasha në shenjë butësie ka ndërtuar në Kala një faltore që zbukuron qytetin tonë”.[14] Bile, ky vit i rindërtimit, nga  disa studiues gabimisht është marrë si datë e ndërtimit të xhamisë. Në të vërtetë, xhamia në këtë vit, pra 1828 është RINDËRTUAR, dhe kjo vërtetohet në mbishkrimin e xhamisë së Kalasë, në fund të të cilit evidentohet viti hixhrij “1244”, e që fillon më 14.VII.1828, sipas kalendarit miladij.[15] Mbishkrimi, i cili aktualisht ruhet në muzeun arkeologjik të Prizrenit, është skalitur në një pllakë të mermertë, me dimensione 67.5 x 53.5 cm. Rreshtat janë të kornizuar, kurse shkrimi me të cilin mbishkrimi është shkruar është “thuluth”. Mbishkrimin e ka hartuar poeti, mësuesi dhe sekretari i Mahmud Pashës, Nuriu.[16]

 

 Foto 2: Mbishkrimi i xhamisë së Kalasë, në gjuhën osmane.

Aktualisht ruhet në muzeun arkeologjik të Prizrenit

Teksti i mbishkrimit të xhamisë është në gjuhën osmane, ndërsa transliterimi i tij në shkronjat latine bashkë me përkthimin në gjuhën shqipe, duket si në vijim:

1) Hâlinde vüs`at olunca ey dil, hayrâtdan olma bir lahdhâ meb’ûd;

1) O shpirt, gjersa e ki bukurinë dhe fuqinë, mos u largo nga bëmirësia për asnjë moment!;

2) ‘Ukbâ`da sâhib-hayra verilir âlî merâtib, olmişçü mev`ûd;

2) Në Ditën e Gjykimit bëmirësit i jepet pozitë e lartë, ashtu  siç është premtuar;

3) Dünyâda dahi hayriyle idi medhkûr olûpdur hâlkın dilinde;

3) Po ashtu, edhe në këtë botë, njerëzit ia përmendin emrin për të mirë;

4) Hem câmi ibnâ eden kişiler hakkında müzhde ma`lûm ve meşhûd;

4) E, për ata që ndërtojnë xhami shpërblimi (prej Allahut) është sihariq i ditur dhe i garantuar;

5) Hîn-i fetihde Kal`a içinde inşa olunmış cami’ ve ma`bed;

5) Në kohën e çlirimit (të Prizrenit), në brendinë e Kalasë, është ndërtuar xhami dhe vendadhurim;

6) Çok vakt ve ezman geçmekle oldi hâk ile yeksân, virân ve nâbûd;

6) Mirëpo, me kalimin e kohës, kjo xhami u rrënua rrafsh me tokë dhe mbeti në gjendje të mjerueshme;

7) Pâşây-ı Mahmud, vâli-i vilâyet hayrata mâil, sâhib-diyânet;

7) Valiu (i Prizrenit) Mahmud Pasha, një njeri shumë i devotshëm dhe i shquar për bamirësi;

8) Bir târz-ı ra`nâ Kal`ada câmi eyeledi ibnâ ol dhât-ı mes`ûd;

8) Allahu ia bëri nasib (mes’ud), që edhe njëherë ta ndërtojë xhaminë e Kalasë në një formë mahnitëse;

9) Bir gelmek ile hoş tekmil olmış görünce Nûri söyledi târih;

9) Nuriu kur e pa xhaminë për të parën herë, shumë u kënaq, dhe shkroi datën;

10) Bu câmi`i dil-zib içine gir kıl, olsun namâzın makbûl-i ma`bûd. Sene 1244 Muharrem.

10) Gjersa hyn në këtë xhami të stolisur dhe falish namaz, adhurimi yt pranohet tek Allahu! Në vitin 1244.[17]

 

4. Dimenzionet dhe konstruksioni arkitektonik i xhamisë

Konstruksioni i xhamisë ka qenë në konvergjencë të plotë me natyrën e kalasë dhe të ndërtimeve të asaj kohe. Sipas ekspertëve të fushave, arkitektura e xhamisë ka qenë tipike shqiptare dhe nuk ka implikuar ndonjë plan specifik aziatik. Kjo vërehet, sidomos te çatia me rrasa guri apo tjegulla dhe jo me kube të mbuluar me bakër. Kështu, duke përngjasuar me shtëpitë dhe kullat shqiptare të ndërtuara gjithandej nëpër trojet shqiptare. Konstruksioni, ka qenë kryesisht prej materialit nga guri.

                                         

  Foto 3: Dimenzionet e xhamisë, sipas themeleve ekzistuese,

si dhe maketa e saj, bazuar në dokumentet historike.

 

Formati i xhamisë është i ngjashëm me atë të xhamisë “Mehmet Kukli beu”, që njihet si xhamia e Saraçëve, e cila gjendet në rrugën e “Saraçëve” në qendër të qytetit të Prizrenit. Sipas, projektit ideor, i cili mbështetet në të dhënat autentike historike dhe sipas gjendjes faktike, i punuar nga arkitekti i fushës përkatëse, xhamia i ka pasur këto dimenzione:[18]

1) Dimenzionet e jashtme të xhamisë janë 9.39 m gjerësi dhe 9.23 m  gjatësi. Të gjitha muret janë nga 1.10 m, me përjashtim të murit të mihrabit, që është 1.16 m. Lartësia e xhamisë, prej dyshemesë e deri në lartësi mbi kulm është 9.76m. Materiali i mureve është prej gurëve specialë, po edhe të ndryshëm, të lidhur me llaç gëlqeror;

2) Hajati i xhamisë, 3.91 x 9.12 m, me konstruksion prej drurit;

3) Xhamia ka pasur kubenë prej tullave të pjekura dhe llaçit gëlqeror, të mbuluar me rrasa guri dhe tjegulla;

4) Xhamia e ka pasur minarenë në lartësi prej 24.90 m, me një sheref (rrethore), me këto dimenzione: prej bazamentit (niveli i sipërfaqës së tokës) e deri te streha e kulmit është 8.14 m; prej bazamentit e deri në sipërfaqën e sipërme të sherefit është 17.70 m; dhe prej bazamentit deri në majën e piramidës është 24.90m. Minareja është prej gurëve poroz (sigë), të lidhura me llaç gëlqeror, ndërsa kulmi i saj (piramida) prej dërrasës e mbështjellur me alumin ose plumb.

 

(Punim i botuar, në: “Dituria islame”, nr.318, prill, 2017)

 (vijon…)



[1] Shih: Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq.95

[2] Fatkeqësisht, pas vitit 1912, pushteti serb e rrënoi xhaminë e Namazxhahit, kurse pas luftës në Kosovë, me iniciativën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, realizohet rindërtimin i saj, sipas kushteve të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren. Projektin e financoi Republika e Turqisë. Nën organizim të Bashkësisë Islame, namazxhahi hapet solemnisht, në prill të vitit 2002, ndërsa më datë 25.06.2002 falet xhumaja e parë dhe me këtë i rikthehet qëllimit burimor. Vlen të përmendet se gjatë vitit 2016, janë falur teravitë si dhe namazi i dy bajramave.

[3] Shih: Jahja Drançolli, “Përshkrim i shkurtër i Prizrenit”, punim i botuar në librin: Plani i konservimit dhe zhvillimit për zonën historike të Prizrenit, përgatitur nga CHWB zyra në Kosovë, pa vend të botimit, 2011, fq.18.

[4] Shih: Mbishkrimi i xhamisë së Kalasë, i cili ruhet në arkivin e Prizrenit.

[5] Shih:J. Radonic, Rimska kurija i juznoslovenske zemlje, Beograd, 1950, fq.402, cituar në punimin e Hasan Kaleshit dhe Ismail Eren “Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij”, përgatiti Ismail Rexhepi & Sadik Mehmeti, botuar në revistën  Edukata Islame – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.81/2006, fq.151.

[6] Shih: J. Tomic, Deset godina iz istorije serpskog naroda I cerkve nad Turcima (1683-1693), Beograd, 1902, fq.44, cituar në punimin: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren “Mahmud Pashë Rrotlla…” po aty, fq.151.

[7] Shih: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, “Mahmud Pashë Rrotlla…”, po aty, fq.152.

[8] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq.353; Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.114.

[9] Shih: Noel Malcom, Kosova…, po aty, fq.157

[10] Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, “Mahmud Pashë Rrotlla…”, po aty, fq.174.

[11] Shih: Faik Miftari, “Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?”, sipas: http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/, data e publikimit: 08.11.2016, data e citimit:15.12.2016.

[12] Shih: Abib Ahmedi, Theranda…, po aty, fq.119.

[13] Abib Ahmedi, Theranda…, po aty, fq.127; Raif Vırmiça, Camileri Kenti Prizren, pa vend dhe vit të botimit, fq.432.

[14] Nehat Krasniqi: “Kronika (Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.57/1995, fq.106.

[15] Shih: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, “Mahmud Pashë Rrotlla…”, po aty, fq.175.

[16] Hasan Kaleshi – Ismail Eren, “Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni…”, po aty,  fq.174-175.

[17] Transliterimi i tekstit si dhe përkthimi i tij është bërë nga origjinali, në konsultim edhe me Mr.Muhamed Ahmetaj. Po ashtu, shih: Raif Vırmiça, Camileri…, po aty, fq.433.

[18] Shih:Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, Dosja e xhamisë së Kalasë, projekti ideor për rindërtimin e xhamisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *