1.
Në kohën e Musait a.s. ndodhi një mbytje. Prej popullit Beni Israil shkuan dhe i thanë, nëse je Pejgamber i Zotit, atëherë na trego kush e ka mbytur.
Në kushte të mbinatyrshme, Allahu e udhëzoi Musain që ta prejnë një lopë (me disa veti karakteritike), dhe me një copë nga mishi i saj (thuhet ka qenë kofsha ose ashti sakrum) ta prekin të vdekurin.
Posa e prekën, i vdekuri u ringjall sa për ta thënë vetëm një fjalë: Filani më ka mbytur, dhe përsëri vdiq.
Këtë ngjarje e ka rrëfyer Allahu në Kur’an dhe një sure është quajtur El-Bekare – surja e lopës.
2.
E përmenda këtë ngjarje për të treguar se ringjallje ka ndodhur edhe në këtë dynja, por ringjallja e vërtetë e llogaridhënies do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, pas shkatërrimit të gjithësisë.
Në atë Ditë, Allahu do t’i ringjallë të gjithë njerëzit në varreza, nga njeriu i parë dhe deri te i fundit.
Do të bie një shi dhe njerëzit do të mbijnë prej tokës sikurse që mbijnë bimët, andaj Allahu thotë:
“Dalin prej varreve, si karkaleca të shpërndarë e me shikim të përulur, duke shpejtuar drejt Atij që i thërret, e jobesimtarët thonë, kjo është ditë e vështirë”. (Sureja El-Kamer, 7-8).
“E thonë, të mjerët ne, po kush na ngriti prej ku ishim të shtrirë në varre? E, kjo është ajo që premtoi Zoti dhe vëtetuan të dërguarit.” (Sureja Jasin, 52).
3.
Shtrohet pyetja si do të ndodhë ringjallja? Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Në njeriun ekziston një asht të cilin kurrë nuk e han (tret) toka, prej tij do të (ri)krijohet në Ditën e Kijametit. (Shokët e tij) thanë: Cili është ai asht o i Dërguari i Allahut? (Pejgamberi a.s.) tha, ai është ‘axhbudh-dhenebi – eshtra e bishtit (sakrum).”
Nuk ka rëndësi se ku do të përfundojmë, në tokë, në barkun e egërsirave, në deti, apo në zjarr, ashti ‘sakrum’ nuk do të tretet.
Dijetarët thonë se ky asht, mund të ngjasojë me një ‘element’ që i tubon grimcat e grimcave të mbetjeve mortore në formë magnetike, ose mund të ngjasojë me një qelizë mbi të cilin zhvillohet krijesa në formë embrionale.
Muslimanët e kanë për obligim që të besojnë në ringjalljen, se një Ditë do të dalim para Allahut, për ta pa në pasqyre jetën tonë dhe veprat tona…!
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
17 janar 2025

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *